Rama: “Hetimi i zgjedhjeve ka të bëjë me transparencën, jo me Prokurorinë”
Për socialistët hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit ka të bëjë me transparencën, dhe jo me Prokurorinë. Kjo dëshmon se socialistët nuk besojnë se Prokuroria e Përgjithshme mund të bëjë transparencë të mjaftueshme të zgjedhjeve. Si ç’do të premte, në një bashkëbisedim me gazetarët, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se hetimi i zgjedhjeve përmes Parlamentit, ka lidhje me të drejtën e kontrollit parlamentar, për të parë se si është zbatuar një ligj i aprovuar nga Parlamenti dhe për të gjykuar se si ka funksionuar administrata. Rama sqaroi se socialistët nuk janë në një betejë ligjore me maxhorancën, megjithëse kanë propozuar mendime ligjore për të qartësuar nismën e tyre. Ai tha se zgjidhja e krizës politike mund të vijë vetëm nga vullneti i mirë politik. Përsa i përket çështjes së Ruzhdies, kreu i PS-së deklaroi se të gjitha faktet dhe provat që po dalin për komisionerët janë të njëjta me të dhënat e provave që paraqiti PS-ja. Socialistët thonë se komisionerët e tyre u blenë në masë nga Partia Demokratike dhe pas firmosjes së procesverbaleve, prova e vetme e manipulimeve është brenda në kutitë e votimit. Sipas selisë rozë, provë tjetër e manipulimeve është raporti i OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet, sipas të cilit një e treta e numërimit ishte i keq.
Deklarata
Duke u ndalur te hetimi i zgjedhjeve, Rama theksoi se e drejta për transparencë është një e drejtë kushtetuese dhe detyrim kushtetues i Parlamentit karshi popullit të vet. “Kjo është një e drejtë e mohuar deri sot, sepse vendosja e saj do të vinte në pah të dhënat rrëqethëse të atyre zgjedhjeve nga ku buron ky pushtet i deformuar që po e shkatërron ekonominë e vendit dhe që po godet ekonominë familjare”, - tha Rama. Kreu i PS-së akuzoi qeverinë si të papërgjegjshme. “Edhe në raport me 4 vitet e para, kjo qeveri është shumë më e papërgjegjshme se ç’ishte, sepse është shumë më e pavarur nga vullneti i popullit. E ka deformuar këtë vullnet dhe me fuqinë që i jep ky fakt po shkel çdo ditë mbi principe të demokracisë”, - u shpreh Rama. Përsa i përket procesit të hetimit, Rama nënvizoi se beteja e opozitës nuk është zënkë se kujt i takojnë sendet, por kutitë janë bankat ku është investuar besimi i popullit. “Ato të kthyera në piramida ato shkatërrojnë themelet mbi të cilat qëndron demokracia dhe mbi të cilat ngrihet vetë sistemi i qeverisjes në një sistem demokratik. Ky është një sistem që po shkon duke u kalbëzuar me shpejtësi, sepse themelet janë të kalbura”, - tha Rama.
Kriza
Partia Socialiste akuzon qeverinë se po keqmenaxhon financat dhe po fsheh krizën ekonomike në të cilën ndodhet vendi. “Kjo është një çështje që lidhet sa me pafuqinë e një qeverie të zhytur në krizën e keqmenaxhimit të financave për të përballuar detyrimet e veta kontraktuale, aq edhe me shpërfilljen e plotë që e karakterizon qeverinë në raport me qytetarin”, - tha Rama. Për të ilustruar krizën, Rama tha se fatura e re e energjisë është një shembull i këtij deformimi të madh, që e ka zanafillën e vet te kontrata e shkelur me këmbë më 28 qershor. “Faturat e energjisë, nxjerrja në pah sistematikisht e një mali falsifikimesh në Orikum, refuzimi për t’i trajtuar minatorët si njerëz, pavarësisht se sa i plotësohen kërkesat, janë 3 çështje të javës që tregojnë në fakt të njëjtën gjë, se ajo që qëndron e fshehur në kutitë e 28 qershorit të marra peng, nuk është fare se kush ka të drejtë, por është në fakt cilësia e qeverisjes dhe vlera e demokracisë në Shqipëri”, - u shpreh Rama. Sipas tij, shqiptarëve u ofrohen shifra të rreme, u ofrohen të dhëna të rreme, u ofrohen perspektiva të rreme, në kushtet kur ekonomia po vazhdon të zhytet në krizë, dhe në kushtet kur ekonomia jonë kërcënohet nga një inerci që mund ta bëjë të tatëpjetën të pafrenueshme.
OBJEKTI I HETIMIT
Përmbajtja e objektit të hetimit parlamentar ka lidhje me çështje të tilla, si mungesa e zbatimit të ligjit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave, procesin e parregullt të votimit në qendrat e votimit, mangësitë e konstatuara në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave, përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore në favor të një subjekti zgjedhor, presionin për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën publike, lejet e përkohshme gjatë fushatës elektorale për personat e dënuar për vepra penale.
Manjani: “Tashmë socialistët e kanë thyer bojkotin”
Partia Socialiste i ka dhënë fund bojkotit zyrtarisht. Ky është mendimi i anëtarit të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Ylli Manjani, i cili e bëri të ditur në një intervistë për një media. Ai deklaroi se futja në Kuvend dhe plotësimi i vendeve në komisionet e përhershme parlamentare e dëshmon mëse miri fundin e bojkotit. Sipas Manjanit, PS-ja pas 6 muajsh qendrës iu përkul interesave të individëve që kanë investuar më parë për të marrë mandatin e deputetit. “Dje janë zënë për disa vende në komisionet e Parlamentit. Më konkretisht, sherri ishte midis disa të rinjve dhe disa të vjetërve se kush do të shkojë në Komisionin e Ligjeve, në Komisionin e Jashtëm, kush do jetë në delegacionin e Parlamentit të Këshillit të Europës e kështu me radhë. Zoti Rama nuk ka pasur dhe nuk ka takat të mbajë peng jo vetëm PS-në, por edhe deputetët aktualë. Një pjesë e mirë e këtyre deputetëve kanë harxhuar para të thata për ta marrë atë mandat”,- tha Manjani. Ai akuzoi liderin socialist Rama se në listat e hartuara prej tij para zgjedhjeve të 28 qershorit ka bërë që PS-ja të mos përfaqësojë më elektoratin e saj, por interesa vetjake. “Sot, në Grupin Parlamentar të PS-së ka biznesmenë që nuk kanë lidhje me politikën dhe nuk kanë fytyrë të bëjnë politikë, sepse janë në konflikt interesi. Ka deputetë në PS sot që nuk i ka votuar populli. Sigurisht ka dhe një brez të ri, një grup të rinjsh, të cilët janë pa përvojën e duhur. Ashtu siç ka dhe shtrembërime të tjera në përfaqësi. Zonjusha Xhaçka është anëtare e Kryesisë së G99-s. Nuk i përfaqëson dot socialistët”, - tha Manjani. Ai deklaroi se kryetari socialist Rama duhet të japë dorëheqjen nga PS-ja në mënyrë që forca kryesore e opozitës t’i rikthehet normalitetit. “Për mua zoti Rama duhet të marrë përgjegjësitë që i jep detyra e kryetarit të partisë. Ai u rizgjodh pas humbjes se zgjedhjeve me kauzën se do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme dhe do të hapte kutitë. Asnjëra dhe as tjetra nuk ndodhi. Tani, në qoftë se nuk do të mbajë mbi supe vulën e mashtruesit ordiner, atëherë duhet të bëhet kryetar i PS-së dhe të japë dorëheqjen”, - tha Manjani.
6 Mars 2010