PS, Gaçi: “Gati të verifikojmë 70 mijë numra të rremë identiteti”
Në kundërpërgjigje të kryeministrit Sali Berisha, Partia Socialiste tregoi dje gatishmërinë për të verifikuar kartat e rreme të identitetit që kryetari i Grupit Parlamentar të socialistëve tregoi si provë manipulimi të enjten në Kuvend. Për ironi, kreu i Ekzekutivit i ka cilësuar dëshminë e socialistit Ruçi si fletëhyrje në kazino. Reagimi i PS-së u bë i ditur dje për mediat nga deputeti Artan Gaçi.
“Zoti Berisha tha janë fletëhyrje në kazino, sot thonë tjetër gjë, kurse ne jemi gati t’i verifikojmë një për një në kutitë e Ruzhdieve, jo vetëm numrat e kartave false të publikuara nga kryetari i Grupit, po të paktën 70 mijë numra të rremë identiteti më 28 qershor”, - u shpreh Gaçi. Përsa u përket reagimeve të Partisë Demokratike se bojkoti po pengon liberalizimin e vizave, deputeti Gaçi tha se nuk është transparenca dhe e vërteta që i pengon vizat, po keqqeverisja e vendit dhe korrupsioni elektoral me karta e pasaporta false si në Ruzhdie. “Këta vjedhacakë e frikacakë që nuk kanë kurajë të hapin kutitë, s’duan ta çojnë Shqipërinë në Europë, po ta bëjnë çiflig për veten e tyre”, - u shpreh deputeti Gaçi.
Ditën e enjte në Kuvend seanca plenare është zhvilluar mes debatesh të ashpra dhe provokacionesh nga të dyja palët politike. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, gjatë diskutimit të tij të ashpër ndaj kryeministrit Berisha për miratimin e projektvendimit për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, ka nxjerrë para deputetëve dhe publikut disa karta identiteti të përsëritura me identitetin e të njëjtit person. Kjo ka sjellë reagimin e ashpër dhe të papërmbajtshëm të Berishës të ndodhur para opinionit publik, duke i cilësuar ato si fletëhyrje në kazino.
6 Mars 2010