E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amendamentet e PD-së për ndryshimin e ligjit “Për komisionet hetimore”



Eljona Ballhysa
Deputetët e Partisë Demokratike mësohet se janë duke hartuar një draft me propozime për ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore, që do të paraqitet në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve që pritet të mbahet ditën e hënë. Burimet kanë bërë të ditur për gazetën se ky draft është i bazuar në amendamentet e PS-së për ndryshimet në këtë ligj dhe PD-ja do të synojë që në Komisionin e Ligjeve të ndryshojë disa nga propozimet e PS-së. Duke pasur shumicën e anëtarëve në Komisionin Parlamentar të Ligjeve demokratët e kanë më të lehtë për të ndryshuar propozimet e PS-së.
Propozimet e PD-së
Mësohet se tre janë nenet që do të nxisin debatin në Komisionin e Ligjeve mes deputetëve të PS-së dhe atyre të PD-së. Në nenin 2 të projektligjit të PS-së është parashikuar që “në rast se kërkohet ngritja e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet e përgjithshme ose ato të qeverisjes vendore, ky komision nuk mund të ngrihet në rast se kanë kaluar: 6 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme të Kuvendit; 3 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për qeverisjen vendore”. Demokratët mësohet se do të kërkojnë ndryshim të afateve. Sipas burimeve, PD-ja do të synojë që të zvogëlojë afatet prej gjashtë apo tre muajsh të propozuara nga socialistët. Po kështu pritet të ketë debate për nenin 3 të projektit të depozituar në Kuvend nga PS-ja. Në këtë nen parashikohet që “në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin apo të qeverisjes vendore, shumica e anëtarëve të komisionit hetimor i përket partisë më të madhe të opozitës”. Mësohet se demokratët do të propozojnë ndryshimin sipas të cilit, shumica në komisionin hetimor t’i përkasë asaj force politike që bën kërkesën për ngritjen e këtij komisioni. Pritet që ky ndryshim i PD-së të kundërshtohet me forcë nga socialistët, synimi i të cilëve është që ndryshimet t’i qëndrojnë kohës dhe të mos bëhen vetëm për një komision hetimor. Së fundi, debate të ashpra pritet të zhvillohen edhe për nenin 4 të projektit të PS-së, që përbën dhe kushtin kryesor të socialistëve. Në këtë nen parashikohet që “në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin ose për qeverisjen vendore dhe në shërbim të hetimeve mbi çështjet, shumica e anëtarëve të komisionit mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një apo disa kutive të fletëve të votimit duke kryer rinumërimin e tyre për efekt të verifikimit të problemeve të mundshme të evidentuara gjatë procesit të pasqyrimit të rezultatit të numërimit të votave në tabelat përkatëse të rezultateve”. Mësohet se demokratët do të kërkojnë që të hapen vetëm ato kuti për të cilat nuk ka vendim gjykate, në mënyrë që të mos cenohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe parimi i ndarjes së pushteteve.
Opozita
Ndërkaq, opozita, në relacionin që i bashkëlidhet projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8891, datë 02.5.2002 ‘Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit’”, thekson se kjo një nismë legjislative synon ngritjen e një komisioni parlamentar të posaçëm, të kryesuar dhe me shumicën e anëtareve nga opozita që do të hetojë mbi dyshimet në lidhje me shkeljet e ligjeve dhe akteve nënligjore që rregullojnë procesin zgjedhor, parregullsitë në procesin e numërimit, shpërdorimin e pasurive publike dhe angazhimin e detyruar të punonjësve të administratës publike për fushatat zgjedhore etj. “Nëpërmjet këtij projektligji, Partia Socialiste e Shqipërisë, si subjekt nismëtar, nuk synon të përmbysë rezultatin përfundimtar dhe as shfuqizimin e zgjedhjeve. Ajo nuk është duke kërkuar rinumërim të votave në mënyrë që të ribëjë rezultatet e zgjedhjeve apo të sfidojë këto zgjedhje ligjërisht. Shtrirja e interesit është për të gjetur se deri në çfarë shkalle shtrihen parregullsitë dhe se si kanë ndikuar këto parregullsi në rezultatet e zgjedhjeve në zonat zgjedhore në funksion të realizimit të transparencës së plotë mbi procesin zgjedhor.
Ngritja e një komisioni hetimor është parashikuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 77 i saj. Ky komision nuk ka për qëllim dhe nuk do të ndërhyjë në veprimtarinë e institucioneve të tjera dhe nuk do të kundërshtojë asnjë vendim të Gjykatës zgjedhore apo ndonjë vendim tjetër. Komisioni thjesht do të hetojë, do të mbledhë dëshmitë dhe do t’i analizojë ato në dritën e çështjeve për të cilat ka dyshime të forta dhe të arsyeshme se janë të rrezikuara”, - sqarojnë socialistët.

Topalli mbledh në zyrën e saj mësues me rastin e 7 Marsit

Në prag të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit dhe ditëlindjes së shkollës së parë shqipe, nën kujdesin e kryetares Jozefina Topalli, Kuvendi i Shqipërisë hapi dyert në një takim që mblodhi mësues nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Deputetë të Kuvendit patën kënaqësinë të shoqëroheshin në këtë takim nga mësuesit e tyre. Ky takim nuk ishte vetëm shprehje e mirënjohjes së thellë dhe respektit për përkushtimin dhe punën e palodhur të mësuesve, por për të gjithë të pranishmit ishin çaste emocionale të ndarë ndërmjet mësuesve dhe nxënësve të dikurshëm, disa prej tyre sot deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh se prania e kaq shumë mësuesve në një prej sallave që në kohën e regjimit ka qenë sallë e Byrosë Politike, e ka transformuar atë, duke i dhënë asaj dritë dhe shkëlqim nga drita e diturisë që mësuesit shpërndajnë ndër breza. “Unë jam shumë e nderuar që jam mes jush. Ju i keni dhënë kësaj salle plot dritë. Po, i keni dhënë dritë sepse ju, mësuesit jeni udhërrëfyesit tanë drejt suksesit. Ju pasuroni personalitetin e gjithsecilit prej nesh përmes njohurive, por edhe dashurisë suaj. Ju jeni guida e jetës. Ju keni ditur të kuptoni çfarë fshihet brenda nesh. Ju, mësuesit, jeni frymëzuesit më të mëdhenj të njerëzimit”, - është shprehur Topalli.

Presidenti Topi viziton Universitetin e Gjirokastrës me rastin e 7 Marsit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një vizitë pune në Universitetin "Eqrem Çabej” të qytetit të Gjirokastrës, me rastin e vigjiljes së 7 Marsit, festës së mësuesit.
Pasi u prit nga autoritetet vendore, nga kryetari i qarkut, Arben Çulli, prefektja e Gjirokastrës Mimoza Çomo, kryebashkiaku Flamur Bime dhe nga rektori i Universitetit, Prof. Gëzim Sala, kreu i shtetit shqiptar bëri një takim me shkurtër me rektorin Sala, vizitoi ambientet e Universitetit “Çabej”, në mënyrë të veçantë sallën e multimedias dhe më pas u takua përzemërsisht me pedagogë dhe studentë të këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit të lartë në Jug të vendit, ku edhe u përshëndet në mënyrë të veçantë nga mësuesja në pension Toina Hido dhe studentja e Mësuesisë, Margarita Xhorxhi. Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar pedagogëve, studentëve, autoriteteve vendore dhe të pranishmëve me këtë rast, presidenti Topi theksoi se “e kam pritur me kënaqësi të madhe ftesën për të ardhur në qytetin e arkitekturës unike, në qytetin e kujtesës, të kulturës e të punës. Ju përshëndes të gjithëve! Nga ky auditor i nderuar përshëndes mësuesit në të gjithë Shqipërinë dhe të visit ku flitet shqip. Gëzuar 7 Marsin! Dhe me rastin e festës së 8 Marsit kam një urim të veçantë për të gjitha gratë, nënat dhe motrat shqiptare”, - është shprehur kreu i shtetit shqiptar.

6 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›