E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja dhe Angjeli: E majta, ndërhyrje urgjente në ekonomi

TIRANE – Ekonomia është çështja kryesore me të cilën do të përballet në shtator qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Të mandatuar tashmë në parlamentin e ardhshëm, Anastas Angjeli dhe Ilir Beqja deklarojnë se hapi i parë është futja në skaner e ekonomisë, për të evidentuar gjendjen reale të saj.

“Duhet filluar padyshim me një kuptim, apo lexim të plotë të realitetit. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk e dimë se sa keq është Shqipëria në detaje, në thellësi. Besoj se është e domosdoshme që ta zbardhim këtë të vërtetë, ta ndajmë në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente me shqiptarët.”- deklaroi Ilir Beqja.

“Do t’i takojë qeverisë shqiptare që të bëjë një transparencë të plotë mbi gjendjen reale ekonomiko-financiare dhe sociale bazuar në shifrat reale të saj , me një transparencë të plotë përpara opinionit publik, me qëllim që të tregojmë se çfarë magazine ekonomiko-financiare dhe sociale PS dhe koalicioni merr në dorëzim.”- u shpreh Anastas Angjeli.

Buxheti mbetet thembra e Akilit për ekonominë, ku socialistët kanë evidentuar vazhdimisht problemet me mosrealizimin e të ardhurave dhe borxhin e lartë. Për Angjelin dhe Beqjan, duhet treguar kujdes në hartimin e këtij drafti për vitin e ardhshëm.

“Pas këtij inventari dhe transparence, padyshim i takon programit ekonomik qeverisës, themeli i të cilit do të jetë mbajtja nën kontroll e situatës financiare aktuale deri në fund të vitit dhe rishikimi i buxhetit të këtij viti. Por në të njëjtën kohë kjo do të jetë e harmonizuar edhe me reformat në politikën fiskale, të cilat padyshim shumë prej tyre do të fillojnë, siç e tha dhe zoti Rama, menjëherë me marrjen e qeverisë prej tij dhe sidomos me miratimin e pr/buxhetit të vitit 2014.”- deklaroi Angjeli.

“Urgjente është që të rishikohet procedura e hartimit të buxhetit të vitit 2014. Normalisht në ministri, në një vit normal kjo procedurë mbaron në gusht. Padyshim që qeveria e re do duhet të punojë paralelisht edhe në këtë drejtim. Besoj se gjatë kësaj periudhe, përveç të tjerash, duhet të ushtrojmë maksimalisht presionin e nevojshëm pozitiv për të mos lejuar qeverinë në ikje të shtojë dhe dëme të tjera këto dy muaj.”- u shpreh Beqja.

Koalicioni i majtë ka parashikuar në programin ekonomik reforma të thella me orientim të theksuar social, me qëllim ndihmën për shtresat e varfra.

(er.nu/news24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Beqja dhe Angjeli: E majta, ndërhyrje urgjente në ekonomi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›