Berat, 13 vjeçari plagos adoleshentin me kaçavidë
Ndërhyn në sherrin ku ishte i përfshirë vëllai më i madh, duke plagosur me kaçavidë një 17- vjeçar, ndërkohë që do të jetë në hetim në gjendje të lirë për shkak të moshës. Ngjarja ku ka ngelur i plagosur një 17- vjeçar, i cili mbërriti në spital me plagë në trup ndodhi mbrëmjen e së enjtes në fshatin Karkanjoz të rrethit të Beratit.
Klevi Kaja, banor i këtij fshati, megjithëse vetëm 13 vjeç është bërë pjesë e një sherri ku ishte përfshirë vëllai i tij më i madh. Dy adoleshentë të këtij fshati mësohet të jenë grindur me njëri-tjetrin në ambientet e një lokali në qendër të fshatit. Denis Lybeshari, 17 vjeç, mësohet se akuzonte bashkëmoshatarin e tij, Ardian Kaja se i kishte ngacmuar me fjalë shoqen e tij. Djemtë janë grindur me njëri-tjetrin duke mos kursyer as grushtet, ndërkohë që në vendin e ngjarjes është gjendur dhe 13- vjeçari. Ky i fundit, për ti ardhur në ndihmë të vëllait më të madh ka përdorur një mjet të rastit, kaçavidë dhe ka qëlluar në bark Lybesharin. Personat e rastit që kanë neglizhuar sherrin, kanë dërguar me urgjencë në spital të plagosurin. 17- vjeçari Lybeshari mbërriti në Repartin e Kirurgjisë pranë spitalit të Beratit me një plagë në bark, ku mori ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut, por nën kujdesin e mjekëve. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, që mori në prani të prindërve dhe psikologut 13- vjeçarin. Sipas burimeve të policisë, ky i fundit do të hetohet në gjendje të lirë për shkak të moshës.