Bogdani: Rinia dhe PD, larguan Shqipërinë nga e kaluara e errët
Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Gerti Bogdani ka vlerësuar rolin e rinisë shqiptare dhe vizionin e PD-së. Sipas tij, të rinjtë demokratë kanë larguar Shqipërinë nga një e kaluar e errët dhe së bashku me PD-në e kanë futur atë në NATO.
Gjatë një takimi me të rinjtë e qytetit të Lezhës, kryetari i FRPD-së, u shpreh se merita e rrëzimit të sistemit më të egër komunist në botë, u takon të rinjve të cilët u bënë promotorë të lëvizjes së dhjetorit dhe i hapën dyert Shqipërisë drejt Europës. Ndër të tjera Bogdani ka shtuar se besimi dhe vizioni që ka Partia Demokratike dhe lideri i saj Sali Berisha tek të rinjtë, i ka hapur dyert për të rinjtë nga e gjithë Shqipëria për tu bërë pjesë e ndryshimit, sepse sot Shqipëria po ndryshon. Takimi i Forumit Rinor të Partisë Demokratike u përshëndet edhe nga deputeti demokrat Preç Zogaj, i cili u përqendrua në premtimet e mbajtura të qeverisë aktuale. Ai solli si shembull realizimin e ëndrrës për futjen e vendit në NATO. Sipas tij, çdo i ri ka mundësi për tu shkolluar, duke e vlerësuar këtë fakt premtim të mbajtur të qeverisë së djathtë.