E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, 2 mijë banorë të një komune kërcënojnë me bojkot zgjedhjesh

 

BERAT - Mungesa e rrugës, ujit të pijshëm dhe kanalizimeve ka bërë që rreth 2 mijë banorë të fshatit Drobonik, komuna Velabishtë të kërcënojnë me bojkotimin e votës në zgjedhjet e ardhshme. Ndonëse vetëm 4 kilometra larg qytetit të Beratit, prej shumë dekadash, banorët e kësaj zone vijojnë të vuajnë të njëjtat probleme. Premtimet në periudhat e zgjedhjeve duket se i kanë lodhur ata tashmë. Kryeplaku, Luan Xherimeja u shpreh se fshati Drobonik vuan mungesën e ujit, rrugës dhe kanalizimet e ujërave të zeza prej 20 vitesh. Sipas tij, banorët janë të detyruar që të udhëtojnë me kilometra për të mbushur një bidon me ujë në qytetin e Beratit. Rruga që ata duhet të përshkojnë është thuajse e pakalueshme, ndërsa nuk mbahet mend se kur është vënë dorë në të. Droboniku njihet edhe si fshat turistik, pasi ndodhet në zonën turistike të luginës së Osumit. Gjithashtu, banorët thonë se janë të rrezikuar nga infeksionet për shkak se ujërat e zeza lëvizin lirshëm në sipërfaqe. Sipas banorëve, shkak i kërcënimit të bojkotimit në zgjedhjet e ardhshme është zhgënjimi nga premtimet e deputetit të zonës, Luan Memushi. Ata shprehen, se ai u kishte premtuar përmirësim të situatës për të gjitha problemet që kishin, por ato kishin mbetur veçse premtime. “Zona jonë njihet për prodhimin e frutave, sidomos qershive. Por ato kalben pasi nuk kemi mundësi t’i transportojmë në tregjet e qytetit pasi mungon rruga”, tha një banor i zonës. Për këto shkaqe, banorët e komunës Velabishtë kërkojnë ndërhyrje nga ana e shtetit, në të kundërt ata kërcënojnë tek zgjedhjet. Ata i bëjnë apel edhe deputetit Memushi të mbajë premtimet për të cilat ata i dhanë edhe votën. Banorët ankohen se ndihen të braktisur nga shteti, ndaj janë të detyruar të ngrenë zërin.             d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›