Krujë, gjendet 43-vjeçari i vrarë në parcelën me hashash
KRUJE - Punonjësi i zyrës së përkrahjes sociale në komunën Nojë në Krujë, Hamit Karaj është gjetur dje i vrarë afër një parcele, e cila ishte e mbjellë me kanabis sativa. Ngjarja që ndodhi në fshatin Mafsheq, mbetet e mistershme për shkak se ekspertët e kriminalistikës janë ende të paqartë për rrethanat e kësaj ngjarjeje. Burime të policisë në Krujë bënë të ditur se, ende nuk është përcaktuar nëse vdekja e 43-vjeçarit kishte ardhur si pasojë e vrasjes, apo e një vetëvrasje aksidentale. Sipas policisë, njoftimi për një trup pa jetë është marrë dje rreth orës 13.30. Por dyshohet se ngjarja të ketë ndodhur gjatë orëve të natës, pasi viktima kishte qenë në një gosti. Gjatë rrugës për t'u kthyer në shtëpi, Karaj është bërë viktimë e një plumbi. Burime të policisë sqaruan se, për ngjarjen po hetojnë ekspertë të Durrësit dhe të Krujës. Kjo për faktin se të dhënat e kësaj ngjarjeje janë ende të zbehta për shkak edhe të rrethanave dhe vendit ku është gjetur trupi i viktimës. Dyshohet se Hamit Karaj po shkonte tek një e mbjellë me lëndë narkotike, në një tokë që ishte pa zot. Ky dyshim lind pasi Karaj është gjetur vetëm pak metra larg parcelës, ndërsa burime të tjera shtojnë, madje edhe faktin se afër tij është gjetur edhe një thes i mbushur me kanabis sativa. Këto fakte kanë bërë që policia të dyshojë për ndonjë krim për konflikte që kanë të bëjnë me trafikun e drogës. Por një pistë tjetër hetimi është edhe vetëvrasja aksidentale e viktimës. Sipas burimeve, 43-vjeçari ka pasur armë me vete. Nga këqyrja e vendit dhe e armës është konstatuar se në këmbëzën e automatikut që ai mbante në krah, janë gjetur fije të një peme, që ndodhej tek vendi ku ai u gjet pa jetë. Kjo ka hedhur dyshime se ndërsa viktima ecte në këmbë, padashur ndonjë degëz peme i ka kapur këmbëzën e armës duke bërë shkrepje të pavullnetshme. Gjithsesi, policia po heton në shumë pista të mundshme. Deri më tani janë shoqëruar 10 persona që janë marrë në pyetje në lidhje me këtë ngjarje. r.n/o.u
Shkodër, pranga autorit të vrasjes
SHKODER - Pas 5 orë kërkimesh mbrëmjen e së premtes u arrestua autori i krimit ndaj 60-vjeçarit Prendush Podja. Sipas policisë së Shkodrës Pashuk Marjakaj, 50 vjeç u arrestua shumë shpejt, pas identifikimit të tij si shkaktar i ngjarjes së rëndë. Motivi i kësaj vrasjeje dyshohet se kishte të bënte me një ngatërrese mes dy të personave në lidhje me pronësinë e një rrugëkalimi, fakt i pohuar dhe nga i ndaluari. Mësohet se arrestimi i Marjakajt është bërë bashkë me armën e krimit, pistoletë. Ngjarja e rëndë ndodhi brenda në banesën e Marjakajt, për motive pronësie. r.d