E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien në pranga pritësit e kokainës nga Argjentina

 

Dashamir Biçaku

Bien në prangat e policisë dy personat që prisnin në Tiranë një pako postare të nisur nga Argjentina, në të cilën ndodheshin 500 gramë kokainë e pastër. Pasi kanë zbuluar përmbajtjen e pakos, Policia dhe Prokuroria kanë bërë “dorëzim të kontrolluar”, duke vënë në pranga porositësin e drogës nga Durrësi si dhe një shqiptaro-amerikan me banim në rrugën e Dibrës në Tiranë. Eduard Smajli, 41 vjeç nga Durrësi dhe Eglant Muka, 39 vjeç, banues në Tiranë dhe nënshtetas amerikan, janë arrestuar nga oficerët e Antidrogës së Policisë së Shtetit. Në emër të tyre kishte mbërritur nga Argjentina një pako postare, që përmbante një sasi prej 560 gramë kokainë të pastër. Lënda narkotike ishte postuar një javë më parë nga një postë në kryeqytetin argjentinas Buenos Aires. Droga mësohet se ka mbërritur tri ditë më parë në zyrat e shpërndarjes së postës në Tiranë. Më pas pakoja, brenda së cilës ndodhej kokaina, i është dorëzuar policisë së kryeqytetit. Pas hetimeve të para, policia ka identifikuar pritësit e drogës, të cilët sipas burimeve zyrtare ishin Eduard Smajli nga Durrësi dhe emigranti Eglant Muka, me nënshtetësi amerikane. Njëri prej pritësve, Eduard Smajli, mësohet se ka qenë i dënuar edhe më parë për të njëjtën veprimtari kriminale në Itali. I arrestuari tjetër, Eglant Muka, ka qenë i njohur për policinë, pasi në muajin mars të këtij viti ra viktimë e një grabitjeje me armë. Dy persona ndaluan mjetin e tij të markës “Mercedez-Benz” ML me targa amerikane, pas një darke që ai kishte kaluar me bashkëshorten dhe e grabitën në periferi të Tiranës. Të dy personat e dyshuar si pritës të kokainës janë lajmëruar pasditen e të premtes nga posta që të shkonin të merrnin pakon e ardhur nga Argjentina në adresë të tyre. Brenda saj ndodhej një set lugësh dhe pirunësh, të futur në një çantë të posaçme ku ishte futur edhe kokaina. Ata gjithsesi nuk kanë shkuar vetë në postë, por kanë dërguar një postier, i cili ka marrë pakon dhe ua ka dërguar dy pritësve të kokainës. Sapo ata e kanë marrë në dorë pakon, policia ka ndërhyrë duke i ndaluar në flagrancë. Gjatë deklarimeve të dhëna pas arrestimit, dy personat e dyshuar kanë pranuar se prisnin pakon në fjalë, por nuk kanë dhënë shpjegime të mëtejshme. Ata dyshohet se kanë marrë edhe më parë sasi kokaine të ardhur me postë, ndërsa në celularin e njërit prej të arrestuarve janë gjetur numra telefonikë që u përkasin shtetasve kolumbianë.

Kokaina e shkrimtarit Morava, 4 milionë euro
ITALI - Kokaina e fshehur në automjetin e shkrimtarit shqiptar Zyhdi Morava, i arrestuar në Itali tri ditë më parë, kap një vlerë prej 4 milionë euro. Sipas policisë italiane, vlera e drogës së sekuestruar mbrëmjen e së enjtes në autostradën A22 të vendit fqinj ishte 2 milionë euro, por pas bashkimit me përzierës të tjerë prej shitjes së saj do të përftohej dyfishi i kësaj vlere. Zyhdi Morava, ish-kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, u arrestua nga agjentët italianë tri ditë më parë me akuzën e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, pasi ata zbuluan drogën në automjetin e tij. Sipas mediave të vendit fqinj, të cilat vazhdojnë të publikojnë lajmin e arrestimit të shkrimtarit, gjithë sasia e drogës që arrinte në një total prej 9 kilogramësh, ishte fshehur në brendësi të derës së parme të automjetit tip “Peugeot 307” me targa gjermane të Moravës. Të njëjtat burime saktësuan se ajo ishte ndarë në 17 pako me rreth 500 gramë secila. Droga mendohet të jetë blerë në Holandë dhe se tregu i saj do të ishte shteti italian. Ndalimi i shkrimtarit u bë pak minuta pasi kishte kaluar kufirin mes Austrisë dhe Italisë në zonën e Bremeros. Automjeti në pronësi të tij kishte pësuar një defekt në Gjermani dhe për vazhdimin e rrugës ajo ishte rimorkiuar në një karroatrec. Sapo kanë kaluar kufirin ata janë ndaluar nga policia për një kontroll rutinë të dokumentacionit, i cili më pas zbuloi drogën e fshehur në pjesën e brendshme të dyerve të makinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›