Durrës-Kukës, çimento e skaduar te punimet shqiptare
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
Çimentoja me të cilën po realizohen punimet në pjesët e autostradës Durrës-Kukës, e cilësuar si një nga projektet më madhore në infrastrukturën e vendit, është vënë në diskutim nga supervizorët italianë.Këta të fundit kanë anuluar punimet në një pjesë të këtij segmenti, pasi çimentoja me të cilën po bëhen punimet rezulton të jetë jashtë standardeve që kërkon një vepër e tillë. Mësohet se dy firmat, “Gjoka” dhe “Albullding” e kanë blerë çimenton në Maqedoni kundrejt një çmimi më të lirë se ajo vendase. Segmenti rrugor ku është bllokuar puna është nga fshati Kolsh, ku mbaron projekti i “Becthel & Enka”, deri në fshatin Myç Mamëz, 5 kilometra e gjatë. Në këtë pjesë, punon firma “Albullding” dhe financohet nga qeveria kuvajtiane me rreth 50 milionë euro. Ndërkohë edhe në segmentin në vijim, nga Myç Mamëzi deri tek ura e Drinit të Zi punon firma “Gjoka”. Edhe këtu punimet janë ndërprerë pak ditë më parë po për shkakun e çimentos, por nisën sërish. Në punimet e këtij segmenti është shembur një brez betoni sigurie prej 1 kilometër i gjatë në anën e rrugës, që shërben për mbajtjen e dherave dhe shkëmbinjve për të mos rënë në rrugë. Supervizorët italianë kanë konstatuar të njëjtin problem edhe tek punimet e “Albullding”. Për këtë shkak ata kërkuan bllokimin e menjëhershëm të punimeve, duke e konsideruar çimenton maqedonase jashtë standardeve për një ndërtim me cilësi. Menjëherë mësohet se kanë nisur kampionë të çimentos në laboratorët italianë për të verifikuar sigurinë e betonit. Tashmë në këtë pjesë të korridorit Durrës-Kukës janë ndërprerë punimet. Makineritë e rënda dhe afro 100 punëtorë kanë mëse një javë që bëjnë pushim, në pritje të ardhjes së përgjigjes nga laboratorët italianë. Supervizorët italianë nuk e kanë përhapur zyrtarisht këtë skandal, ndonëse ata pohojnë nën zë se çimentoja maqedonase me të cilën dy firmat e mësipërme po bënin punimet është jashtë çdo standardi. Bllokimi i punimeve ka shumë gjasa të zgjasë deri në javën tjetër, pasi ende nuk dihet se kur do të vijë përgjigjja e ekspertëve italianë. Burime pranë kontejnerëve të ndërtimit bëjnë të ditur se segmentet e betonimit, kryesisht në shpatet anësore të rrugës janë bërë me çimento të ardhur nga Shkupi, gjë që ka rezultuar jocilësore pas verifikimit të supervizorëve italianë dhe financuesve kuvajtian të këtij segmenti. Punimet janë ndërprerë dhe në tre urat e këtij segmenti ku po ndëtohen 16 këmbët e tyre. Sipas burimeve, çimentoja u mor në shtetin fqinj për shkak të kostos së ulët të tij.
Autostrada, asfaltohen 500 metrat e para
Asfaltimi i rrugës Rrëshen-Kalimash tashmë ka nisur. Shtatë ura janë ndërtuar dhe më shumë se gjysma e tunelit është e përfunduar. Sipas të dhënave nga kompania “Bechtel & Enka”, po vazhdon puna në gjithë gjatësinë e rrugës prej 60 kilometra, ku tashmë kanë marrë formën e asfaltit 500 metrat e para, në dalje të tunelit.
Protestë për parkun
Banorët e Orikumit dhe të Dukatit kundërshtojnë projektin siçilian për parkun energjetik. Rreth 60 banorë protestuan dje në hyrje të Orikumit. Me banderola në duar ata i drejtuan mesazhe qeverisë dhe kryeministrit Berisha, për zgjidhjen e çështjes së pronave të tyre. Revoltimi i tyre vjen pas dhënies në koncesion të 100 ha tokë një firme siçiliane, e cila do të ndërtojë një impiant energjetik me mullinj me erë. Banorët nuk janë kundër projektit, por kërkojnë shpronësimin pa nisur punimet. q.b