Greqi, defekti në motor rrezikon anijen shqiptare
DURRES – Një defekt në motor e deti me dallgë të mëdha rrezikuan jetën e 15 anëtarëve të ekuipazhit të anijes shqiptare “Pukjani”, ndërsa lundronte pranë brigjeve greke. Dy ditë më parë, alarmi SOS erdhi nga anija tregtare, e cila mësohet se do të transportonte skrap pranë Volosit. Por, ndërsa i afrohej ishullit Kimi në Egje është rrezikuar nga mbytja. Nga autoritetet greke u njoftua dje se anija kishte dhënë alarm, si pasojë e një defekti në motorë. Angazhimi i palës helene ka bërë të mundur dërgimin në kohë të forcave të shpëtimit. Sipas tyre, deti me dallgë deri në 7 ballë ka ndikuar në shtimin e rrezikut të ndonjë aksidenti të rëndë ujor. Megjithatë, burime nga Kapitaneria e Durrësit pohuan dje se, anija “Pukjani” ishte me dokumentacion të rregullt për të lundruar në ujërat komunitare. Ky është konkluzioni i Kapitanerisë së Durrësit mbi anijen me flamur shqiptar që rrezikoi mbytjen në ujërat e Egjeut. Me sinjalin SOS të lëshuar nga 15 marinarët shqiptarë të anijes “Pukjani” është njoftuar në kohë reale edhe Kapitaneria e Përgjithshme e Porteve. Sipas burimeve nga ky institucion, anija e nisur nga Durrësi më datë 24 shtator respektonte të gjitha standardet ndërkombëtare mbi detarinë dhe ajo që ndodhi me sistemin e saj të drejtimit ishte thjesht një aksident. Anija e ngarkuar me 3500 ton skrap është inspektuar rregullisht nga kontrollorët e “Port State Control” (konventa ndërkombëtare e detarisë) e cila e ka certifikuar këtë mjet si të sigurt. o.u