Gati mandati i dytë qeverisës, për të përfunduar investimet e mëdha publike
Kanë përfunduar përgatitjet e platformës për katërfishimin e investimeve publike në mandatin e dytë qeverisës të kryeministrit Sali Berisha. Qytetarët s’mund të mbështesin shfrytëzimin e qytetarëve nga klika edviniste e “vullnetarizmit”. Ata nuk duan xhufkat e ndryshkimit, por përshpejtimin e ritmeve të integrimit të vendit në BE
Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga Sokol Olldashi, Ministri i Punëve publike, Transportit dhe telekomunikacionit, si dhe nga deputeti Ilir Bano, u ndal dje në rrethin e Fierit, ku mori pjesë në inaugurimin e disa veprave publike, financime të buxhetit të shtetit. Duke iu referuar turit të nisur nga kreu i opozitës Edi Rama nëpër Shqipëri, kryeministri Berisha u shpreh nga Krutja e Fierit, se “rivali im duke parë moton tonë të përbashkët se ‘Krutja po ndryshon’, ‘Shqipëria po ndryshon’, vendosi të na imitojë dhe për këtë le ta falënderojmë bashkërisht”.
Por, sipas kryeministrit, ka një problem, ndryshimi i tij vjen si një ndryshkim i vërtetë. Berisha iu referua edhe nismës shfrytëzuese të “vullnetarizmit”, apo “punëtorit të papaguar”, që Rama ka filluar të implementojë nëpër Shqipëri, duke vënë në dukje se shqiptarët po ndjehen të fyer nga kryesocialisti. “Së pari, këta burra dhe gra, këta të rinj dhe të reja, nuk kanë nevojë të jenë vullnetarë as të Edi Ramës dhe as të Sali Berishës, por kanë nevojë të jenë qytetarë të NATO-s dhe ne do t’i bëjmë qytetarë të NATO-s dhe ne do t’i bëjmë qytetarë të NATO-s. Mos i ofendo shqiptarët me xhufka, sepse xhufkat që i kanë parë për 47-vjet me radhë për festën e 1 Majit”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se kryetarit të bashkisë së Tiranës do t’i lëmë xhufkat e 1 majit.
“Edi Rama as nuk dorëzon projektin, as nuk ndërton unazën e Tiranës”
Gjatë vizitës së tij në qarkun e Fierit, Berisha inauguroi fillimin e punimeve për sistemim-asfaltimin e hyrjes së qytetit të Fierit dhe rikonstruksionin e urës së Mbrostarit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 283. 304. 487 lekë dhe vlerësoi se ky projekt parashikon ndërtimin e një hyrje moderne me katër korsi dhe që i përgjigjet ritmeve të shpejta të zhvillimit të këtij qyteti.
“Siç e shihni, u shpreh kryeministri, investimet janë të shpërndara si në qytete të mëdha, ashtu edhe në qytete të tjera”.
Kryeministri theksoi se, “kjo qeveri po shkon drejt mandatit të dytë me hyrje moderne nëpër qytete, me Shqipërinë anëtare të NATO-s, dhe e sigurt në realizimin e të gjitha premtimeve të dhëna. Pra ne po investojmë kudo dhe po ecim në këtë mënyrë drejt një mandati të dytë, me hyrje moderne nëpër qytete, me Shqipërinë anëtare të NATO-s, të sigurt në realizimin e të gjithave premtimeve të dhëna, dyfishimin e pagave të mësuesve, dyfishimin e pensioneve në zonat rurale, dyfishimin e pagave të infermierëve, mjekëve, rritjen 50-70 % të pensioneve në qytet, mbi dyfishimin e numrit të studentëve, internet në të gjitha shkollat etj”.
Nga ana tjetër, Kryeministri Sali Berisha bëri përgjegjës kryesor për bllokimin e realizimit të projektit, për Unazën e Madhe të Tiranë, kryetarin e bashkisë Edi Rama. Berisha e ironizoi, duke theksuar se po mban peng projektin, njësoj si Pushkini plaçkat e vjetra. “Ne do të donim që të inauguronim dhe fillimin e punimeve të unazës së madhe të Tiranës, por kryetari i bashkisë së saj po mban peng projektin si Pushkini plaçkat e vjetra. Çfarë mund t’i them unë atij, ai nuk e lëshon projektin. Vetë nuk e ndërton por as projektin nuk e jep”, u shpreh Berisha.
“Mandatin e dytë, qeveria, katër herë më shumë investime publike”
Kryeministri Sali Berisha, në vazhdim të turit “Shqipëria po ndryshon”, mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve të rrugës Krutje - Fier Shegan, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 258 milionë lekë.
Në fjalën e tij drejtuar banorëve të Krutjes, Berisha u shpreh se kjo shumicë po i afrohet mandatit të dytë për shkak të ndryshimin e madh që i ka bërë Shqipërisë dhe e vendosur për një ndryshim edhe më të thellë në katër vitet që vinë.
“Ne po shkojmë drejt mandatit të dytë dhe kërkojmë votën tuaj jo vetëm për këto që kemi bërë, por ne kërkojmë votën tuaj se në katër vitet që vinë do të bëjmë katër herë më shumë. Në këto katër vjet ne kemi rritur në mënyrë të pakrahasueshme shpejtësinë e zhvillimit të Shqipërisë”, u shpreh
Berisha tha se, “sot inauguruam së bashku një vepër madhore për Krutjen, rrugën Fier Shegan - Pushimi i Shoferit, rreth 13 kilometra dhe me dy korsi”.
“Kam kënaqësinë e madhe të them se në këtë zonë elektorale të deputetit Ilir Bano, në këto më pak se katër vjet, ne kemi ndërtuar 37 kilometra rrugë, 25 ujësjellës, disa shkolla qendra shëndetësore, kabina elektrike dhe instalime të tjera, të cilat kanë ndryshuar për mirë Krutjen dhe gjithë Shqipërinë”, u shpreh kreu i qeverisë, duke theksuar se shumë shpejt, së bashku me ju do të presim shiritin e inaugurimit të fillimit të punimeve të rrugës Pushimi i Shoferit-Divjakë dhe në këtë mënyrë do të ndërtojmë njërën prej arterieve më kryesore.
...