E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, 30 shtëpi të përmbytura si pasojë e shirave

Shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur 30 shtëpi ditën e djeshme në qytetin e Beratit. Kjo, si pasojë e mosfunksionimit të kanalizimeve për përcjelljen e ujërave. Përmbytje mësohet të ketë pasur në lagjet “Çlirim” dhe “Jani Vruto”, ku uji ka vërshuar në brendësi të disa banesave, duke detyruar familjarët të kërkojnë ndihmën e sektorit të zjarrfikëses. Banesat njëkatëshe të këtyre lagjeve mësohet të jenë mbushur me ujë gjatë mesditës së djeshme, ndërkohë që në ndihmë të banorëve kanë ardhur menjëherë forcat zjarrfikëse që kanë ndihmuar banorët. Rezultojnë rreth 30 familje që kaluan natën tek të afërmit e tyre, ndërkohë që sot do të nisë puna për llogaritjen e dëmeve. Shirat me intensitet të lartë, të rëna thuajse pa pushim gjatë gjithë ditës së djeshme kanë bërë që pjesa më e madhe e rrugëve kryesore të qytetit të Beratit, e sidomos rruga e lagjes më të populluar të qytetit “30 Vjetori”, të bllokohen e të kthehen në lumenj, duke vështirësuar jo vetëm kalimin e këmbësorëve në to, por edhe të automjeteve. Situata e krijuar ka ardhur si rezultat i bllokimit për të disatën herë të kolektorit kryesor të ujërave të zeza. Ndërkohë dëme mësohet të ketë pasur dhe në komuna të ndryshme të këtij qarku, si Mbrakull, Velabisht, Lumas. Përmbytjet mësohet të kenë ardhur si pasojë e vërshimeve të degëve të lumit Osum.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›