E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrojtja e Bashës sot në gjykatë kundër prokurorisë



Mbrojtja e i ish-ministrit të Transporteve dhe ministrit të jashtëm Lulzim Basha i dorëzoi dje Gjykatës së Tiranës kërkesën penale ndaj prokurorisë, ku kundërshton zgjatjen e afateve të hetimit ndaj klientit të tij, duke e cilësuar të paligjshme. Kjo kërkesë do të shqyrtohet sot nga gjyqtarja Fatmira Hajdari në orën 12:30, ndërkohë që nuk dihet ende nëse kjo gjyqtare është vënë në dijeni të shkresës së dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme për shpalljen e moskompetencës për kërkesën e Bashës. Disa ditë më parë, avokati mbrojtës i të pandehurit Lulzim Basha, Zef Nikaj, depozitoi një kërkesë-padi mbi prokurorinë. Në këtë kërkesë-padi, mbrojtja kërkon pavlefshmërinë e akteve procedurale. Avokatët e të akuzuarve i kanë konsideruar veprimet e prokurorisë tërësisht politike dhe të parregullta nga ana procedurale. Kështu objekti i padisë të bërë në ngarkim të prokurorisë mbështetet në paragrafin e dytë të nenit 128 të Kodit të Procedurës Penale.

Ky nen përcakton se aktet procedurale janë absolutisht të pavlefshme, kur respektohen dispozitat që lidhen me të drejtën e prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale dhe pjesëmarrjen në procedim. Më tej, në ligj thuhet se absolutisht të pavlefshme aktet janë edhe kur kanë të bëjnë me thirrjen e të pandehurit, ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme. Ndërsa në fund të këtij neni pohohet se një akt i cilësuar me ligj si absolutisht i pavlefshëm nuk mund të bëhet i vlefshëm.

Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme, e akuzuar për veprime abuzive dhe politikisht të njëanshme në rastin e ministrit Basha, i ka kërkuar dje Gjykatës së Lartë përmes një letre zyrtare që të marrë për shqyrtim çështjen e Lulzim Bashës. Kërkesa e prokurorisë vjen pas asaj të avokatit të Bashës për pezullim të hetimeve. Sipas Prokurorisë, kërkesa e ministrit Basha mund të gjykohet vetëm nga Gjykata e Lartë si i vetmi organ i drejtësisë që ka kompetencat ligjore për ta bërë një gjë të tillë.

Somario

Avokatët e të akuzuarve i kanë konsideruar veprimet e prokurorisë tërësisht politike dhe të parregullta nga ana procedurale

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›