E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria kërkon 26.2 vjet burg dhe 9.4 milionë lekë gjobë

Zyrtarët e Hipotekës

Prokuroria e Tiranës deklaroi dje fajtorë dy ish-zyrtarë të Hipotekës dhe të etiketuarit si sekserë të tyre, duke kërkuar 26.2 vjet burg dhe 9.4 milionë lekë gjobë për 6 të pandehurit e kësaj çështjeje. Konkluzionet përfundimtare të organit të akuzës erdhën tri javë pas pranimit të gjykimit të shkurtuar për këta të pandehur. Dënimi më i rëndë është kërkuar për të pandehurin Veiz Senko, për të cilin u kërkua 10 vjet burg, 5 milionë lekë gjobë, si dhe konfiskim të vilës 1-katëshe me sipërfaqe 84.42 metër katrorë dhe 3.250 eurove të sekuestruara gjatë arrestimit nga policia. Ky i pandehur u deklarua fajtor për të gjitha akuzat e formuluara nga prokurori, përkatësisht 8 të tilla, që nga “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “mashtrimi”, “falsifikimi”, “pastrimi i produkteve të veprës penale” etj. Prokurori Gentian Osmani kërkoi dënimin me 3.6 vjet burg dhe 1.5 milion lekë gjobë për të pandehurin Artan Mehmeti, 5 vjet burg e 1.5 milion lekë gjobë për të pandehurin Dali Hakorrja, 3 vjet burg e 300 mijë lekë gjobë për të pandehurin Agron Tafa, 2.6 vjet burg e 600 mijë lekë gjobë për të pandehurin Enton Babameto, si dhe 2 vjet burg e 500 mijë lekë gjobë për të pandehurin Halil Hima. Gjithashtu, për dy ish-zyrtarët Babameto e Mehmeti u kërkua nga organi i akuzës edhe heqja e të drejtës së ushtrimit të funksioneve shtetërore për 2 vjet. Në seancën e radhës do të jenë avokatët dhe të pandehurit që do të thonë fjalën e fundit lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ta, ndërkohë që verdikti përfundimtar i togave të zeza pritet pas kësaj seance. Të pandehurit e arrestuar gjatë operacionit “Furtuna” akuzohen se në bashkëpunim kanë tjetërsuar titujt e pronësisë për 13 raste, duke shfrytëzuar lidhjet me njëri-tjetrin, pasi tre nga të pandehurit janë ish-zyrtarë të Hipotekës në atë kohë. Sipas përfaqësuesit të akuzës, për të provuar këto akuza ekzistojnë prova si përgjime telefonike, përgjime me fotografi dhe video, të cilat komprometojnë të pandehurit. Gjatë operacionit u arrestua Veiz Senko, Halil Hima, që ishin në rolin e sekserëve, Enton Babameto, Artan Mehmeti, Ramiz Hyka, zyrtarë të Hipotekës dhe Dali Hakorja, ish-punonjës i SHKB-së. Akuzat që rëndojnë mbi zyrtarët janë “akuzat e korrupsionit pasiv të punonjësve që ushtrojnë funksione publike”, “falsifikim” dhe “shpërdorim detyre”. Sipas prokurorisë, zyrtarët Enton Babameto, Artan Mehmeti, Ramiz Hyka dhe ish-oficeri i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Dali Hakorrja, tjetërsonin pronat në mënyrë të paligjshme. Hakorrja, sipas prokurorisë, u kishte premtuar paprekshmëri personave të tjerë. Burimet kanë shtuar se të pandehurit kishin mbivendosur disa prona. Sipas hetimeve, gjashtë të pandehurit akuzohen nga prokuroria e kryeqytetit se kanë tjetërsuar titujt e pronësisë në 13 raste dhe në një rast mendohet se ryshfeti shkonte deri në 45 mijë euro.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›