E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shiu i rrëmbyeshëm, përmbytje dhe vështirësi në vend

Reshjet e dendura që ranë ditën e djeshme përmbytën shumë rrugë e shtëpi, duke krijuar një situatë të vështirë në të gjithë vendin. Në Tiranë, që në orët e para të mëngjesit, trafiku ka qenë tepër i rënduar, por e njëjta situatë u pa edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Disa rrugë nacionale u bllokuan, ndërsa në disa rrethe të vendit u përmbytën disa shtëpi. Gjithashtu, edhe në qytete u rrit së tepërmi niveli i ujit, duke e bërë shumë të vështirë lëvizjen e këmbësorëve dhe makinave në rrugë. Për të ndihmuar në këtë situatë të vështirë u angazhuan forcat e policisë, zjarrfikëset dhe ato të Policisë Rrugore, si edhe u vunë në gatishmëri edhe Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, stacionet e PMNZSH-së në rrethe, komisionet e emergjencave civile pranë Institucioneve të Prefektëve, nga drejtuesit dhe përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore, si edhe pika të tjera kontakti në nivel qendror dhe vendor. Situata paraqitet si më poshtë.

Sipas Ministrisë së Brendshme, në qarkun e Tiranës një problem i madh ka qenë dalja e ujërave të lumit të Tiranës në zonën e Babrrusë të Komunës Paskuqan, në zonën ku banon popullsia rome. Këta banorë janë evakuuar. Në Kombinat u rrezikua përmbytja e Nënstacionit Elektrik, por aty u punua me pompa të mjeteve zjarrfikëse. Probleme pati edhe në rrugën “Komuna e Parisit”, ku ka pasur përmbytje të rrugëve, duke bërë kështu tepër të vështirë kalimin e këmbësorëve dhe automjeteve. Aty u çua një mjet zjarrfikës, i cili ndihmoi në uljen e nivelit të ujit.

Në rrethin e Shkodrës situata u paraqit pa probleme serioze. Problematik ishte vërshimi i ujërave në disa fshatra të Komunës Vig-Mnelë. Sipas MB-së, u përmbytën rreth 800 hektarë tokë si qark. Ndërsa në qarkun e Lezhës ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, sidomos në linjat e furnizimit të stacioneve të pompave të hidrovorëve kryesorë. Për këtë arsye, hidrovorët nuk kanë funksionuar. Por më pas ky problem u rregullua, pas masave të marra dhe situata u normalizua. Në rrethin e Durrësit ka pasur probleme në zonën e Kënetës dhe në Bashkinë Manzë. Në koordinim me Prefekturën Durrës u morën masa për përballimin e situatës në zonën e Kënetës, si dhe nga Bordi i Kullimit Durrës u dërguan mjete për ndërhyrje në kolektorin e Rezervuarit të Radës, Bashkia Manëz, ku ka pasur përmbytje në një sipërfaqe të konsiderueshme të mbjellash. Janë paraqitur probleme nga reshjet e shiut në rrugën transballkanike dhe në disa lagje të qytetit të Vlorës, për shkak të rrjetit të bllokuar të kanalizimeve të qytetit. Nën drejtimin e prefektit të qarkut janë ngritur shtabe të monitorimit dhe përballimit të situatës në të gjitha komunat që mund të rrezikohen. Në rrugën e fshatit Tërbaç ka pasur rrëshqitje dheu, por nga ndërmarrjet po punohet për hapjen e rrugës.

Në qarkun e Fierit ka pasur dalje të lumit Vjosë në toka arë të fshatit Çorrush të Mallakastrës, pa prekur banesat. Nuk ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në furnizimin e stacioneve të pompave të hidrovorëve. Qyteti i Kukësit dhe rrethinat e tij kanë pasur rrëshqitje të materialeve inerte në aksin Fushë Arrëz–Kukës, sidomos në pikat e intersektimit me autostradën Durrës–Kukës. Në qytetin e Beratit ka pasur dalje të ujërave në disa rrugë kryesore për shkak të mosfunksionimit të rrjetit të kanalizimeve. Nga ndërmarrjet e qytetit, gjendja në këto rrugë është normalizuar. Ndërsa ne qarqet Gjirokastër, Elbasan, Dibër dhe Korçë, nga informacionet e deritanishme njoftohemi se nuk ka probleme nga reshjet e shiut në këto qarqe. Shiu i rrëmbyeshëm dhe moti i keq bënë që të ketë një angazhim të madh të strukturave të shtetit, për të shmangur situatat e vështira dhe problemet e shumta që mund t’iu vinin banorëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›