E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Gërdecit, familjarët e viktimave kërkojnë të njihen me aktet e dosjes



Familjarët e viktimave të Gërdecit shprehen të indinjuar nga refuzimi vijues i Prokurorisë së Përgjithshme për t’iu dhënë kopjet e akteve të dosjes hetimore për të ashtuquajturën “Tragjedia e Gërdecit”. Nëpërmjet avokatëve të tyre, ata u ankuan dje në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në mënyrë që ta detyrojnë Prokurorinë e Përgjithshme për t’u vënë në dijeni me këto akte. Ata kanë qenë të shoqëruar dje nga avokatja e tyre Blerta Kraja, e cila do përfaqësojë palën e dëmtuar në kërkesat e tyre para gjykatës. “Familjarët e viktimave të Gërdecit janë më të vendosur se kurrë që të ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre procedurale, që rrjedhin nga neni 58 i Kodit të Procedurës Penale, duke kërkuar procedimin e fajtorëve dhe shpërblimin e dëmit. Ata janë të vendosur, që të mos tolerojnë zvarritjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe pengimin nga kjo e fundit, të avokatëve të tyre për të luajtur rolin procedural që u takon në këtë procedim penal. Këta familjarë ftojnë edhe njëherë Prokuroren e Përgjithshme, që t’i lejojë avokatët e tyre, sa më parë të jetë e mundur, pa e detyruar atë gjyqësisht, të njihen me aktet e dosjes dhe të marrin kopjet përkatëse, konform nenit 105, pika 1, të K. Pr. Penale, në mënyrë që ata të përpilojnë padinë civile në procesin penal, si dhe varësisht nga hetimet të paraqesin kërkesa për të marrë prova të tjera në këtë proces” janë shprehur ata përmes një deklarate për shtyp. Më tej, ata shtojnë se “familjarët e viktimave të Gërdecit dëshirojnë që kjo çështje të hetohet dhe të gjykohet shpejt, duke evituar përdorimin elektoral të dhimbjes së tyre. Ata shprehen të sigurt, që hetimit dhe gjykimit të kësaj çështjeje do t’i shkojnë deri në fund, pavarësisht pengesave të shkaktuara edhe nga Prokuroria, apo nga padënueshmëria e vetëshpallur e disa politikanëve të përfshirë në këtë ngjarje”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›