Berat; Anëtarët, kundër kthimit të Pollos në PD
Anëtarë të Partisë Demokratike në Berat kanë dalë kundër shkrirjes së PD-së me PDR-në dhe rikthimin e Genc Pollos në partinë e tyre. Dhjetëra simpatizantë të kësaj partie në Berat, të kryesuar nga ish-ministri i Brendshëm i qeverisë “Meksi”, Agron Musaraj kanë bërë thirrje që të mos vijojë procedura e shkrirjes së dy forcave të djathta. Sipas tyre, nuk mund të lejohet që në parti të rikthehen ata dezertorë që u larguan duke e akuzuar Partinë Demokratike, si një institucion diktatorial, pa u marrë parasysh vetë vullneti i anëtarësisë së PD-së. Në këtë mënyrë, anëtarët e PD-së në Berat i janë bashkuar thirrjes së disa politikanëve për një votim në strukturat e Partisë Demokratike për ripranimin e Genc Pollos në parti. Javën e kaluar, Kryeministri Berisha dhe zëvendëskryeministri Pollo nënshkruan një marrëveshje që shënon hapin e parë të shkrirjes së dy partive, proces që pritet të finalizohet në fund të muajit janar.