E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korpus i ri për Universitetin e Durrësit

Pas afro 20 vjetësh duket se i është gjendur destinacioni ish-klubit të kulturës të portit detar të Durrësit, për ta kthyer atë në korpus universitar. “Duke hedhur poshtë hamendjet dhe debatet institucionale mes bashkisë dhe dikasterit të Kulturës, godina tashmë e rrënuar do të shembet dhe në truallin që do të dalë në dritë do të ndërtohet një godinë për Universitetin e Durrësit, i cili nuk do të ketë vetëm një korpus, por dy të tillë”, - u shpreh për “standard” prefekti i Durrësit, Klodian Pajuni. Para afro 44 vitesh u ngrit klubi i kulturës së portit detar në pjesën e jashtme të tij. Ai shërbente për edukimin masiv të punonjësve sipas ideologjisë së asaj kohë. Klubi përfaqësonte një ndërtesë njëkatëshe me sipërfaqe 800 metra katrore, në të cilën bënin pjesë salla e shfaqjeve si dhe disa lokale të vogla për lexim apo për aktivitete të tjera. Në vitin 1990 ky objekt pushoi së funksionuari dhe për çdo ditë iu nënshtrua amortizimit të thellë. Gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur mjaft propozime për të shfrytëzuar truallin, mbi të cilin ishte ngritur klubi me qëllim ndërtimin e objekteve të tjera. Plani ishte se atje do të ndërtohej një bibliotekë për qytetin, por edhe ky variant ra poshtë, pasi porti nuk ia dha bashkisë objektin. Propozimi i fundit ishte ai i APD, sipas të cilit, në klubin e kulturës do të ndërtohej muzeu i portit detar, por që nuk u realizua. Duket se gjithçka është zyrtarizuar për ndërtimin e një godine si pjesë e Universitetit “A. Moisiu”. Burime nga Prefektura e Durrësit thane se “klubi i portit do t’i kalojë në pronësi Ministrisë së Arsimit për këtë qëllim, kjo ka ndodhur pas vizitës së Kryeministrit Berisha pak kohë më parë në Universitetin e Durrësit “A. Moisiu”, pasi ka qenë vetë z. Berisha, që ka hedhur idenë e zgjerimit të universitetit te ish-klubi i portit”. Tashmë dokumentacioni përkatës i këtij objekti është në fazën e kalimit nga Ministria e Ekonomisë në atë të Arsimit. Pas kalimit fizik të objektit do të kalohet në fazën e hartimit të projektit për godinën e re dhe depozitimit të kërkesës pranë Bashkisë së Durrësit për leje ndërtimi. Ideja është që Universiteti i Durrësit të jetë me 2 korpuse, në mënyrë që të çelen edhe degë të reja. Ndërkohë që është menduar për rritjen e këtij universitetit, ende nuk është bërë asgjë për akomodimin e studentëve nga rrethet e tjera të vendit, nuk ka konvikte e për këtë arsye numri i studentëve nga rrethet e tjera është fare i vogël.

Artur Ajazi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›