E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Mamografi falas deri në fund të vitit

Ministria e Shëndetësisë po punon për gjetjen e mundësive për ofrimin falas të ekzaminimeve mamografike për të gjitha gratë shqiptare deri në fund të vitit 2008. Programi INTERREG III, i financuar nga Komuniteti Evropian, nëpërmjet rajonit të Puljas (Itali), mundësonte deri në fund të tetorit kryerjen falas të mamografisë në 4 rrethe të vendit: Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Vlorë.

"Aktualisht, ka përfunduar sasia e filmave për kryerjen e ekzaminimeve mamografike, ndërsa po përpiqemi për sigurimin e një sasie të mjaftueshme për muajt e ardhshëm, me qëllim ofrimin falas të tij deri në fund të vitit", - tha drejtori i Përgjithshëm në MSH, Bardhi Spahiu, në një intervistë.

Sipas tij, në kuadër të programit INTERREG III, janë kryer përgjatë një viti (2007-2008) mbi 12 mijë ekzaminime. Kjo shifër tejkalon objektivin e projektit, i cili ishte 11 mijë ekzaminime mamografike.

Çfarë është bërë deri tani në vendin tonë në luftën kundër sëmundjes së kancerit të gjirit tek femrat shqiptare?

Në vendin tonë është bërë dhe po bëhet shumë në drejtim të luftës kundër sëmundjes së kancerit të gjirit. Përveç politikave që po ndiqen nga qeveria dhe MSH, për të krijuar kushtet e nevojshme për gratë shqiptare për zhvillimin e ekzaminimeve të ndryshme, që parandalojnë (kapin në kohën e duhur) sëmundjen; përveç spitaleve tona, shumica prej të cilëve janë të pajisur tashmë me aparatura që ndihmojnë në diagnostikimin e këtyre sëmundjeve, ne mund të përmendin rastin më të mirë, programin INTERREG III. Në kuadër të këtij programi, numri i ekzaminimeve mamografike të kryera është tepër i madh.

Brenda një viti, janë kryer mbi 12 mijë ekzaminime mamografike të grave shqiptare, falas, nëpërmjet të cilave janë diagnostikuar rreth 310 gra shqiptare me tumor të gjirit. Është një numër i konsiderueshëm, të cilit, edhe pse është në linjë me shifrat e vendeve të zhvilluara, duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë. Ne na gëzon fakti që tashmë këtyre grave u është dhënë mundësia ta kapin në kohë dhe ta luftojnë këtë sëmundje me mënyrat e duhura.

Dua të theksoj rëndësinë e zhvillimit të këtij ekzaminimi dhe u bëj thirrje grave shqiptare të zhvillojnë mamografinë, të gjitha ekzaminimet e duhura, pasi janë ekzaminime të thjeshta, të shpejta, jo invazive dhe bëjnë ndryshimin midis jetës dhe vdekjes.

Nga ekzaminimet e kryera në rrethe, në cilin prej tyre rezulton përqindje më e lartë e sëmundshmërisë? A ka ndikuar fushata sensibilizuese tek gratë shqiptare për kryerjen e këtyre ekzaminimeve?

Për sa i përket përqindjes më të lartë, në të gjitha rrethet, ku është instaluar tashmë aparati i mamografisë, pothuajse jemi në të njëjtat nivele. Nuk ka pasur ndryshime në përqindjet e rasteve pozitive të kancerit të gjirit tek gratë. Ndërsa, ndikimi që ka pasur fushata e sensibilizimit ka qenë i madh. Është bërë një punë e madhe për sensibilizimin e grave nga stafi mjekësor dhe ai infermieristik. Që nga fillimi, nga projekti i është kushtuar shumë vëmendje sensibilizimit, pasi u vu re se gratë shqiptare kishin nevojë për të. Rëndësi i është kushtuar nëpërmjet medias, materialeve të ndryshme informuese, por dhe thirrjes së vazhdueshme që u kemi bërë grave për kryerjen e ekzaminimeve dhe e gjithë puna është rezultat i kësaj fushate sensibilizuese.

A ka qenë një shtysë për kryerjen e këtyre ekzaminimeve, fakti që ato ofroheshin falas dhe, në këtë kontekst, si do të operojë më tej MSH?

Sigurisht, fakti që ekzaminimi kryhej falas ka ndikuar pozitivisht në numrin e grave që janë paraqitur, por nuk do ta përcaktoja si një faktor vendimtar. Përkundrazi, vendimtar ka qenë sensibilizimi, kultura në rritje e grave shqiptare për kryerjen e këtyre ekzaminimeve. Shpresoj dhe po përpiqemi për gjetjen e formave që ky ekzaminim të jetë falas edhe për disa muaj pas përfundimit të projektit, ose me një çmim simbolik.

Aktualisht, ka përfunduar sasia e filmave për kryerjen e ekzaminimeve mamografike, ndërsa po përpiqemi për sigurimin e një sasie të mjaftueshme për muajt e ardhshëm, me qëllim ofrimin falas të tyre deri në fund të vitit.

Sa raste të reja të sëmundjes së kancerit të gjirit kemi çdo vit dhe cilat mosha janë më të prekura?

Tashmë, janë rreth 450 gra, që paraqiten në vit pranë shërbimeve të onkologjisë, që është një numër i konsiderueshëm. Ndërsa, moshat që preken (flasim gjithmonë për tumoret e sferës gjenitale) janë kryesisht mbi 35 vjeç, si dhe 55-60 vjeç. Shqipëria ka rastet e saj pozitive, por jemi në të njëjtat nivele, standarde, me vendet perëndimore.

Cilat janë shkaqet për sëmundjen e kancerit të gjirit dhe si mund të kujdesen gratë për parandalimin që në hapat e parë?

Përveç prirjes gjenetike, ka disa faktorë që ndikojnë në sëmundjen e kancerit të gjirit. Si faktor kryesor mund të përmend se lindja në mosha të reja ul probabilitetin e prekjes nga kanceri i gjirit; lindja në mosha të vona, të rritura, mbi 30 vjeç, shton probabilitetin e prekjes nga sëmundja, apo dhe moslindja e fëmijëve.

Lufta më e mirë që mund t’i bëhet sëmundjes është parandalimi, zhvillimi i ekzaminimeve dhe kapja në kohën e duhur. Një tumor i kapur në kohën e duhur, në stadet fillestare, është lehtësisht i luftueshëm, ndërkohë që janë të gjitha mundësitë të eliminohet totalisht. Kapja në stadet e vonshme do të thotë ulje e probabilitetit për të dalë me sukses nga trajtimi i sëmundjes, ndaj dhe i kushtojmë rëndësi sensibilizimit.

Higjiena

ASHR: Baret dhe restorantet, “nën kontroll”

Baret, restorantet, por dhe pikat e tregtimit të mishit dhe produkteve të qumështit në qytetin e Tiranës dhe komunat përreth plotësojnë të gjitha kushtet higjieno-sanitare; rezulton nga kontrollet e ushtruara nga Inspektorati Sanitar, pranë Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës.

Drejtori i ASHR-së, Mhill Gecaj, tha se "inspektorët sanitarë të Tiranës ushtrojnë rreth 1.000 kontrolle në muaj pothuaj në të gjitha subjektet, sipas zonave të inspektimit të çdo grupi inspektorësh". Nga muaji maj i këtij viti, sidomos në "sezonin e nxehtë" janë kontrolluar dhe të gjitha subjektet e prodhimit të akulloreve, pastiçeritë, subjektet e ujit të ambalazhuar, të mishit dhe të qumështit. “Për subjektet e prodhimit dhe tregtimit të akulloreve janë bërë analiza për gjithë secilin prej tyre (rreth 30 të tillë), duke bërë bllokimet provizore për 4 subjekte dhe gjobitur 2 subjekte”, - tha zoti Gecaj, sipas të cilit, kontrolli intensiv ka përfshirë subjektet tregtues të qumështit të ambalazhuar (që në Tiranë kryesisht vjen nga rrethet), si dhe janë bllokuar dhe asgjësuar disa herë sasi qumështi, që kanë rezultuar jo në rregull, për sa i përket ngarkesës bakterile.

Këto subjekte prodhimi dhe tregtimi kontrollohen në vazhdimësi nga Inspektorati Sanitar, pajisen me leje higjieno-sanitare, por kontrollohen dhe pajisen me lejet përkatëse edhe nga organe të tjera, si Inspektoratet e Ushqimit, e Mjedisit, Veterinar (kryesisht subjektet e mishit) etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›