E Shtunë, 31 Tetor 2026

4000 avokatë kundër qeverisë

Mijëra avokatë shqiptare dalin kundër qeverisë "Berisha", e cila ka miratuar projekt-ligjin "për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë". Forumi i avokatëve ka reaguar dje ashpër për vendimin e Këshillit të Ministrave për mos përfshirjen e tyre në kwtë projekt-ligj. "Theksojmë me dhimbje se ky komunitet kaq i madh juristësh profesionist është mbajtur larg prej hartimit të këtij projekt-ligji, nuk është lejuar të marë dijeni rreth tij, nuk i është marë asnjë mendim, nuk i është dhënë ky projekt-ligj për diskutim në parim, dhe as nen për nen. Madje është për të ardhur keq edhe për faktin se projekt-ligjin ‘Për profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë‘ e kemi siguruar në mënyrë ilegale, pasi është mbajtur dhe është trajtuar si ‘dokument sekret‘ me të cilin nuk duhet të njihen avokatët!" thuhej në deklaratën e djeshme për shtyp, nën firmën e avokatit Idajet Beqiri. Sipas tij, këtë fakt e bënë më të dhimbshëm ajo që ndodhemi para një rasti të përsëritur, pasi edhe me ligjet e mëparshme është bërë e njëjta gjë. "Komuniteti i avokatëve nuk është pyetur për asgjë e mbi asgjë nga përmbajtja e këtyre ligjeve. Projekt-ligji në fjalë, i cili pritet të diskutohet dhe të miratohet shumë shpejt nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në vend ëe të përmirësonte mangësitë e dukshme të Ligjit ‘Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë‘, ka bërë hapa serioze pas, duke i hapur shtegun shkeljeve të rënda të parimeve kushtetuese" thuhej në njoftim. më tej vijonte se në parim ky projekt-ligj e ka vendosur pozitën e institucionit të avokatisë, ose të mbrojtësit ligjor, siç theksohet në Kushtetutë, nën varësinë dhe ndikimin direkt të pushtetit ekzekutiv, nën varësinë dhe trysninë e organit të akuzës dhe të pushtetit gjyqësor.

"Ky projekt-ligj i mohon haptaz mbrojtësit ligjor të drejtën kushtetuese të të qënurit palë, krahas organit të akuzës, në procesin penal, i heq institucionit të mbrojtjes ligjore të drejtën për të qenë ndikues me pavarësinë e tij në pavarësinë e gjyqësorit dhe në dhënien e drejtësisë në bazë të ligjit, provave dhe fakteve në këtë vend, duke respektuar me rigorozitet prezumimin e pafajësisë për cilindo person, deri sa t‘i provohet fajësia me vendim gjyqsor të formës së prerë" shkruajnë 4000 avokatët. Më tej pohojnë se projekt-ligji ka mangësi të mëdha për gjëra parimore lidhur me institucionin e mbrojtësit ligjor, ka përpjekje të hapura për t‘a bërë këtë institucion sa më pa vlerë, sa më të pafuqishëm dhe më të padëgjushëm, me qëllim që t‘i heq "de jure" dhe "de fakto" qytetarëve të këtij vendi të drejtën e mbrojtjes ligjore. "Projekt-ligji ka një sërë mangësish në formulime, në konceptimin e gjërave, në trajtimin e problemeve me rëndësi, të cilat i lë të errta, të pazbatushme, lehtësisht të keqinterpretuara nesër në praktik. Ato do t‘i theksojmë duke i marrë e analizuar nje e nga një të gjitha nenet e këtij projekt-ligji" shkruajnë avokatët, duke përfunduar me një kërkesë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. "Jo vetëm të mos e fusni në rendin e ditës në Kuvend shqyrtimin e këtij projekt-ligji, por t‘a ktheni atë për diskutim në grupin më të rëndësishëm të interesit dhe profesionalisht shumë lartë, sikurse është armata 4000 vetëshe e avokatëve të këtij vendi".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›