E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, “Kabllori” prangos 4 hajdutët e rrjetit elektrik

Policia e Qarkut të Beratit deklaroi përfundimin me sukses të operacionit të koduar "Kabllori", operacion nga i cili u arrestuan katër persona, të cilët akuzohen si autorë të vjedhjes së rrjetit elektrik, kabujve të ndriçimit dhe linjave të telefonisë së Telekomit. Zëdhënësja e policisë së këtij qarku, Valbona Qafa, bëri me dije arrestimin e Dritan Miçe, 42 vjeç, Rexhino Pepa, 20 vjeç, Julian Mile, 37 vjeç, Rigert Braho, 19 vjeç, banues në qytetin e Beratit. Ndalimi i tyre u bë pasi rezultojnë të jenë autorë të disa vjedhjeve të kryera në Qarkun e Beratit, në lagjen " Barikadë" të qytetit të Beratit, në Urën Vajgurore dhe në fshatin Banaj. Konkretisht ata akuzohen se kanë vjedhur rrjetin elektrik, kabujt e ndiçimit dhe linjat e telefonisë që po shtrihen nga ana e Telekomit. Në bashkëpunim me njeri-tjetrin këta katër persona akuzohet se vidhnin metalet, shtyllat e rrjetit elektrik dhe kabujt, të cilat i shkrinin dhe i tregëtonin si metal për skrap. Gjatë këtij operacioni u arrit të sekuestrohej një sasi kabulli elektrik si dhe një automjet tip benz me targa BR: 2985 B, mjet i cili dyshohet se shërbente për transportimin e materialeve të vjedhura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›