E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, LSI: Edi Rama tentoi të na blente

Këshilltarët e LSI-së në Berat denoncuan dje një përpjekje nga PS-ja e këtij qyteti se ka tentuar t'i korruptojë ata me vende pune që të shkëputen nga LSI-ja në mënyrë demonstrative. 

 "Ne këshilltarët dhe kryetarë të organizatave të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Berat denoncojmë sot, kryetarin e Partisë Socialiste të Beratit, Selman Hodo, që në mënyrë të pacipë ka kërkuar të na blejë në emër të Edi Ramës me vende pune dhe deri lekë, për t'u përdorur nesër në një tribunë, ku njerëz të sjellë nga Partia Socialiste, do të shtiren sikur largohen nga LSI-ja drejt Partisë Socialiste, duke e akuzuar LSI-në për tradhti ndaj Edi Ramës", shprehen në deklaratën e tyre një grup këshilltarësh të LSI-së në Bashkinë e Beratit. Këta këshilltarë denoncojnë këtë përpjekje dhe shprehen se me këto forma Edi Rama i shërben Sali Berishës, duke dëmtuar opozitën e vërtetë. "Duke qenë të qartë dhe të bashkuar, jo vetëm në rrugën e drejtë që po ndjek LSI-ja dhe koalicioni "E Majta për Integrim", ne denoncojmë këto prapaskena të turpshme kundër LSI-së dhe kundër opozitës së vërtetë, ku këto tentativa meskine janë vetëm disa nga elementët e shërbimit që Edi Rama është duke i bërë Sali Berishës për përçarjen e opozitës. Ne i bëjmë thirrje çdo anëtari të LSI-së të mos mashtrohen nga këta intrigantë dhe sekserë politikë, që nuk kanë çfarë të ofrojnë tjetër, veçse djallëzive dhe mashtrimeve të tyre", u shprehën ata në një konferencë për shtyp. Ata bënë thirrje gjithashtu se, "të gjithë anëtaret te ndershëm të Partisë Socialiste të distancohen nga turpe të tilla, të orkestruara nga njerëz të vegjël me interesa të ngushta dhe të korruptuar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›