E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Ishte ekzekutim politik

 

ADI SHKEMBI

Presidenti Bamir Topi reagon një ditë pas rrëzimit të pesë dekreteve të tij në Kuvend, duke e quajtur votimin e të hënës në mbrëmje si një ekzekutim politik për këto kandidatura. Duke folur në përfundim të mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve, kreu i shtetit gjithsesi është shprehur se votimi duhet konsideruar një fitore historike. “Lidhur me rrëzimin e emrave, kini durim, sepse unë nuk i jam shmangur ndonjëherë medias për pyetjet që më kanë bërë. Ky, padyshim është një ekzekutim politik i këtyre kandidaturave, sepse këto kandidatura janë zgjedhur me shumë kujdes, janë zgjedhur mbi bazën e konsultimeve të gjera të CV-ve të tyre, por edhe me institucionet, të cilat mund të japin të dhëna për karrierën dhe integritetin e këtyre personave”, u shpreh kreu i shtetit. Ndërkohë, duke hyrë në detaje të CV-së të këtyre kandidatëve për në Gjykatën e Lartë, kreu i shtetit u shpreh se, “Të rrëzosh sot në Shqipëri një gjyqtar që ka qenë për nëntë vjet në Gjykatën e Strasburgut, besoj që është një luks shumë i madh. Nga ana tjetër për të dalë kundër retorikave që bëhen për të përndjekurit, të rrëzosh një kandidaturë që mbështetet nga të përndjekurit politikë dhe t’i japësh atij vetëm dyzet vota në Parlament, besoj që nuk ka nevojë për koment”. Por jo gjithçka duket se ka shkuar keq sipas kreut të shtetit, pasi, sipas tij, fakti që dekretet u futën në rendin e ditës për t’u votuar, tregon se rruga e ndjekur nga kreu i shtetit për përzgjedhjen e kandidaturave rezultoi kushtetuese. “Votimi i djeshëm duhet të konsiderohet jo në mënyrë paradoksale, por duhet të konsiderohet si një fitore e demokracisë, sepse për një muaj rresht është diskutuar për antikushtetueshmërinë e dekreteve të Presidentit, për paligjshmërinë e këtyre dekreteve dhe fakti që u futën në procedurën e votimit, sipas Kushtetutës, tregon që edhe palët që e kontestonin u ndërgjegjësuan që kjo procedurë ishte kushtetuese”, u shpreh më tej Topi. Në fund kreu i shtetit tha: “Mund t’ju them edhe për një pozicionim të institucioneve specifike që merren me supervizionin e ligjshmërisë mbi institucionet e drejtësisë shqiptare, që i kanë dhënë plotësisht të drejtë pozicionit kushtetues të Presidentit, pra për këtë s’ka asnjë dyshim”. Një ditë më parë, pesë dekretet e kreut të shtetit u rrëzuan në Parlament përmes një votimi në bllok të maxhorancës, me pretendimin se Topi ka shkelur Kushtetutën duke mos u negociuar paraprakisht.

“Votimi, jo transparent dhe tendencioz nga shumica”

Deputeti Gilman Bakalli tha dje se votimi i pesë emrave për në Gjykatën e Lartë një ditë më parë, ishte përmes një procesi jo transparent dhe tendencioz. Sipas tij, Komisioni i Ligjeve nuk dha arsyet e vërteta përse duhet të refuzoheshin këto kandidatura. “Votimi i së hënës ishte kurorëzimi i një procesi aspak transparent dhe të zvarritur me tendenciozitet nga maxhoranca. Deputetët dje në sallë nuk u sqaruan nga raporti i Komisionit të Ligjeve se cilat ishin arsyet e refuzimit të kandidaturave të propozuara nga Presidenti”, tha Bakalli. Sipas tij, “ishin të turpshme disa nga deklaratat e krerëve të maxhorancës se këto kandidatura hidhen poshtë për shkak se ato na qenkan të papërshtatme si ish-shërbëtorë të komunizmit, pasi një maxhorancë dhe qeveri e cila ka në gjirin e saj komunistë apo bijë komunistësh, nuk mund të abuzojë më me këtë fakt”. Bakalli theksoi se, “kjo është as më shumë e as më pak se sa: një gomar shan veshgjatë një tjetër. Kur një kryeministër ish-komunist dhe një kryetare Kuvendi që drejton Parlamentin me një mentalitet të theksuar komunist nuk mund të përdorë argumente të tilla, të cilat fshehin fillimin e vërtetë të refuzimit të kandidaturave të zotit Topi. Duhet të na thonë publikisht cilat ishin arsyet e vërteta që ata dhe ushtarët e tyre të bindur të maxhorancës votuan në rresht kundër dekreteve të Presidentit”. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›