E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, Pollo inspekton zonën e rrezikshme: Do të ndërhyjmë

 

BERAT - Pas shembjes së një masivi guri në lagjen "Mangalem", dje mbërriti në Berat edhe zv/kryeministri Genc Pollo. Ai u njoh nga afër me rezultatet që kanë dalë nga inspektimi i specialistëve e gjeologëve, në lidhje me rrezikun që i kanoset kësaj lagjeje muzeale të qytetit. Pollo u shpreh se qeveria do të ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme në këtë zonë, në mënyrë që të sigurohet jeta e qytetarëve. Sipas tij, pritet përfundimi i rezultateve që do të dalin nga specialistët për të përcaktuar shkaqet, e më pas qeveria do të ndërhyjë me investime në të gjithë shpatin mbi Mangalem, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm në këtë zonë. Duke ditur se një nga shkaqet që ka sjellë tronditjet në lagjen Mangalem është edhe kalimi i mjeteve me tonazh të rëndë në këtë rrugë, Pollo premtoi se qeveria do të akordojë menjëherë fondet e nevojshme në bazë edhe të projekteve të hartuara nga bashkia për ndërtimin e unazës së re të qytetit. Kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi kërkoi që investimet të fillojnë shumë shpejt në këtë zonë, me krijimin e një perdeje mbrojtëse mbi Mangalem. Janë tre gurë të mëdhenj të cilët rrezikojnë të bien. Disa prej banorëve janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa të tjerë shprehen se flenë me frikë. Nasufi i kërkoi zv/kryeministrit Pollo që përveç fondit për të ndërtuar perde mbrojtëse për të shmangur shembjet e malit të kalasë, edhe një fond tepër urgjent për ndërtimin e unazës së qytetit. Sipas tyre, lagjja "Mangalem" është në rrezik.  Tre shkëmbinjtë e tjerë ndodhen në mes të lagjes dhe një shkëputje e mundshme e tyre do të krijonte një katastrofë të vërtetë. Banorët e lagjes kanë kërkuar ndihmë emergjente pasi ata kanë frikë të qëndrojnë në banesat e tyre. Dy ditë më parë, në Berat ishte një grup ekspertësh nga Tirana nën drejtimin e zv/ministrit të Brendshëm Ferdinand Poni. Ata inspektuan zo-nën dhe konstatuan se edhe tre masivë të tjerë shkëmbinjsh ishin gati në të rënë. Kjo situatë alarmoi banorët dhe pushtetin vendor, të cilët kërkojnë të vihet dorë sa më shpejt me masa konkrete.                  d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›