Berisha: Qeverinë e përcaktoi sovrani
ADI SHKEMBI
Legjitimitetin e qeverisë e përcakton sovrani, i cili i rezervoi Ramës humbjen. Kështu i është përgjigjur Kryeministri Sali Berisha deklaratave të kreut të PS-së, Edi Rama për jolegjitimitetin e qeverisë së re. Ndalesa e radhës e turit të falënderimeve për mandatin e dytë, të fituar më 28 qershor, ishte pikërisht qyteti i Kukësit, ku PD-ja fitoi 3 deputetë. Teksa inauguroi nisjen e punimeve për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës Kukës-Shishtavec, kreu i qeverisë e cilësoi kryetarin e selisë rozë, si Hamleti, personazhi i njohur i Shekspirit. “Dje doli e deklaroi se nuk do të njohë legjitimitetin e qeverisë, prapë një marrëzi. Nuk është ai që përcakton legjitimitetin e qeverisë, atë e përcakton sovrani, i cili i rezervoi atij banesën e humbjes, i dha humbjen. Tani po të dojë, të bëjë Hamletin çdo ditë në monologun e tij, ne do të ecim drejt Shqipërisë evropiane. Kjo zonë do të ketë një rrugë të standardeve evropiane. Ajo i ka pasuritë e tjera, po i mungonte rruga, ujësjellësit, vaditja dhe ne e shndërrojmë këtë në një territor të një vendi evropian”, u shpreh Kryeministri Berisha. Në të njëjtën kohë kreu i qeverisë iu përgjigj akuzave të ardhura nga selia e Partisë Socialiste edhe për sa i përket ndërtimit të TEC-it me qymyr dhe studimit të zonës në periferi të Tiranës. Sipas Berishës, pas krizës ekonomike që ka përfshirë të gjitha vendet, qeveritë kanë kthyer sytë nga TEC-et me qymyr. “Dua të shpreh realisht një keqardhje se, pavarësisht se ai është një kundërshtar, por, kur e dëgjoj t’u thotë shqiptarëve çdo ditë marrëzira të padëgjuara në 20 vitet e fundit, nuk mund të mos ndjesh në rrafshin njerëzor dhimbje. Një ditë u deklaroi se TEC-et me qymyr nuk ndërtohen më në Evropë, në një kohë kur, në fakt, kriza energjetike i ka rikthyer ato më fuqishëm se ndonjëherë”, vijoi më tej kreu i qeverisë. Lidhur me akuzat për ndërtimet në periferi të kryeqytetit, Berisha tha se “Ditën tjetër, ne miratuam detyrën e studimit të zonës Kashar-Vorë-Prezë dhe ai doli dhe u tha shqiptarëve se Tirana është 2800 hektarë, ndërsa në KRRTRSH u miratuan ndërtime për 3500 hektarë. Unë do të isha shumë i lumtur, në rast se do të ndërtohej një qytet i madh me 3500 hektarë, por e vërteta është se ky është një problem i largët, jo i afërt”.