E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrja e Asamblesë, Ruçi debat me Ramën

 

Aristir Lumezi

Asambleja Kombëtare e socialistëve pritet të ketë debate të ashpra, lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe qëndrimin e PS-së. Shumë anëtarë të Asamblesë Kombëtare shprehen se në historinë 18- vjeçare të PS-së, asnjëherë nuk ka ndodhur që Asambleja Kombëtare apo KPD-ja e dikurshme të thirret, veçanërisht për analizë apo qëndrim paszgjedhor të PS-së, pa diskutuar më parë axhendën në kryesinë socialiste. Kjo mësohet se ka shkaktuar dhe debat mes kreut socialist Edi Rama dhe kryetarit të Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi, i cili ka kërkuar që çështjet që do të diskutohen në asamble, më parë të kalonin në kryesinë socialiste. Madje mësohet se kreu socialist Edi Rama nuk është konsultuar as me sekretariatin e selisë rozë, një formalitet që ai e bën pothuaj çdo të hënë në zyrën e tij. Tashmë brenda saj janë krijuar dy rryma, të cilat ndajnë qëndrime të ndryshme lidhur me përgjegjësitë për rezultatin e zgjedhjeve. Kryetari socialist Edi Rama bashkë me një grup anëtarësh të asamblesë, një pjesë e të cilëve ishin kandidatë për deputetë, i qëndrojnë idesë së mosnjohjes së zgjedhjeve e të qeverisë së dalë prej tyre dhe kërkon bojkotim të Parlamentit nga grupi parlamentar socialist. Kjo gjë pritet të artikulohet në mënyrë institucionale përmes një rezolute, e cila do të kërkojë miratimin e Asamblesë por dhe të kalimit të saj në mënyrë urgjente në kongresin e PS, që do të mblidhet brenda muajit gusht. Por këtë qëndrim nuk ndajnë një grup tjetër anëtarësh të asamblesë, të cilët mësohet se po përgatisin dhe një promemorie, përmes së cilët kundërshtojnë bojkotimin e zgjedhjeve e mosnjohjen e tyre. Në këtë dokument pritet të kërkohen arsyet e vërteta pse PS nuk do të njohë zgjedhjet dhe të bojkotojë parlamentin e ardhshëm. Në Promemorie do të argumentohet gjithashtu rëndësia që opozita duhet të ketë në Parlamentin e ri, për vetë kushtet në të cilat ndodhet vendi dhe që lidhen me proceset integruese të vendit, por dhe reformat e premtuara prej saj para zgjedhjeve dhe gjatë fushatës elektorale. Nënshkruesit e kësaj promemorie do të kërkojnë që qëndrimet e PS-së në vitin 2009 të mos i ngjajnë atyre të PD-së në vitin 2001, e cila u detyrua të kthehet në parlament pas një viti me ndërhyrjen e fortë të faktorit ndërkombëtar. Por në asamblenë kombëtare është kristalizuar edhe një rrymë tjetër, radikale, e cila pritet të shpallë ditën e martë ndërprerjen e mandatit të kryetarit socialist, në mënyrë automatike pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 qershorit, ku koalicioni i PS-së ka marrë 4 deputetë më pak se koalicioni i PD-së. Sipas këtij grupimi, kreu socialist, pa mandat, nuk ka fuqi institucionale të thërrasë mbledhjen e Asamblesë Kombëtare dhe këtë gjë mund ta bëjë ose kryesia socialiste ose 1/3 e anëtarëve të asamblesë. Në mbledhjen e së martës, pritet që përveç fjalimit të kryetarit socialist në prani të mediave, të ketë mjaft diskutime me tone të larta për vetë procedurat që janë ndjekur për thirrjen e asamblesë, por dhe tendencën e transferimit të përgjegjësive për rezultatin zgjedhor tek manipulimi i zgjedhjeve apo dobësi të Kodit Zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›