Stefa: Kam mandatin e deputetit deri më 3 shtator
Deputetja socialiste dhe njëkohësisht anëtarja e Asamblesë Kombëtare, Rajmonda Stefa, u shpreh dje se vazhdon të jetë anëtare e këtij forumi pasi mandati i deputetit i skadon më 3 shtator. “Unë nuk jam produkt i OJF-ve por jam produkt i PS-së. Edhe po të mos isha ftuar në Asamble, unë do të kisha folur në media. Përgjegjësia e humbjes së PS-së nuk është vetëm e kryetarit të PS-së Edi Rama, por dhe e kryesisë, e cila ka rreth 2 vjet që është kthyer në një papagall të kryetarit, ligjor apo elektoral, që thotë se sistemi është i mirë dhe kërkohen koalicione të gjera në një kohë që kanë. Ajo kryesi është tradhtare e interesave të elektoratit socialist, sepse nëse Berisha bëri koalicion me 17 parti, ne nuk mundëm të bashkonim të majtën. Kryesia është përgjegjëse për këtë rezultat, sepse asnjëherë nuk ka analizuar sjelljen apo veprimet e kryetarit, por u mjaftua me një vend në listat e kandidatëve”, u shpreh Stefa. Deputetja socialiste kërkoi dje që mandati i saj si anëtare e asamblesë të vazhdojë deri në zgjedhjet e reja në PS. “Ne jemi anëtarë të asamblesë kombëtare sepse mandati ynë si deputetë mbaron më 3 shtator. Ne nuk kemi ikur si deputetë sepse nuk na votoi populli, por sepse nuk na donte kryetari. Propozoj që mandati ynë si anëtarë të asamblesë të vazhdojë deri në zgjedhjet e reja të asamblesë. Edhe pse nuk isha kandidate në këto zgjedhje, unë punova shumë për fitoren e PS-së në qarkun e Fierit”, tha Stefa.