Deputetët “e harruar” u telefonuan dje në mëngjes
Selia rozë korrigjoi vetëm dje në mëngjes një “gabim” të saj, që kishte lënë jashtë mbledhjes së asamblesë deputetët aktualë që nuk kandiduan në zgjedhjet e fundit. Kjo gjë është bërë pas mediatizimit të këtij fakti, i cili i bashkangjitej dhe mos mbledhjes më parë të kryesisë socialiste. Ky veprim, nga ana e drejtuesve të PS-së, ka sjellë indinjatë tek deputetët që janë ndjerë të përjashtuar nga forumi vendimmarrës i PS-së, të cilët janë ende në mandat deri më 3 shtator, ditë kur kanë marrë këtë mandat. Madje disa prej tyre kanë kontaktuar dhe me drejtues të PS-së, prej të cilëve kanë kërkuar sqarime për këtë neglizhencë. Ajo që ka bërë përshtypje ishte fakti se janë lajmëruar për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të së martës, kandidatët për deputetë në zgjedhjet e fundit, të cilët ende nuk kanë marrë mandatin e tyre nga Kuvendi i ri i Shqipërisë, për të qenë njëkohësisht dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Listës së anëtarëve të Asamblesë Kombëtare i munguan deputetët aktualë, Musa Ulqini, i cili është dhe sekretari rajonal i PS-së në Tiranë, Besnik Dervishi, Elmaz Sherifi, Rajmonda Stefa, Flamur Hoxha, Pilo Kerri, Rrapush Tola, ndërsa janë lajmëruar të marrin pjesë në mbledhjen e parë pas zgjedhjeve kandidatët për deputetë, mandati i të cilëve fillon me seancën e parë të Parlamentit të ri në muajin shtator. Një pjesë e ish-deputetëve, por dhe kryetarë të degëve socialiste kanë kërkuar në media, pasi ende nuk ishin mbledhur forumet e PS-së, zbatimin e statutit të PS-së nga ana e kryetarit Edi Rama, pas rezultatit humbës që ai mori nga zgjedhjet e 28 qershorit. Dje gjatë paradites, deputetët aktualë, por dhe anëtarja e kryesisë, Eva Allushi, janë telefonuar nga punonjësit e aparatit të selisë rozë, duke e justifikuar këtë vonesë me listën e gjatë të anëtarëve që Asambleja Kombëtare socialiste ka tashmë. Pak javë më parë, sekretarja socialiste për shanset e barabarta, Edlira Haxhiymeri, por dhe anëtarja e kryesisë, Eva Allushi, nuk janë lajmëruar për të marrë pjesë në mbledhjen e para të kryesisë socialiste pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo për shkak të qëndrimeve të shprehura më parë prej tyre, në lidhje me listën e kandidatëve për deputetë.