Berisha inspekton rrugën Kukës-Dibër
Gjatë vizitës në Kukës, Kryeministri Berisha inspektoi punimet në rrugën Kukës-Dibër, e cila është pjesë e unazës verilindore dhe juglindore që lidh Tropojën me Librazhdin dhe Korçën. Ndërtimi i aksit nga Kukësi në Dibër do të kushtojë 10 milionë dollarë dhe do të lidh gjashtë komuna të kësaj zone. “Kjo rrugë, lidh 6 komuna të këtyre zonave, me potenciale jo të pakta blegtorale, por pak më tutje sjell më afër malin më të lartë të Shqipërisë dhe një prej maleve më të pasura, malin e Korabit dhe e bën atë të disponueshëm për të gjithë shqiptarët. Kjo rrugë është një nga segmentet më të rëndësishme të unazës verilindore dhe juglindore të vendit, në të cilën punohet në të gjitha drejtimet, nga Tropoja drejt Kamit dhe sapo të përfundojë projekti Kam – Golaj, do të fillojnë edhe aty punimet. Po punohet edhe në segmentin Krumë-Kukës dhe Kukës-Peshkopi”, u shpreh kreu i qeverisë. Sipas tij, në muajt në vazhdim do të përfundojë projekti për një tjetër segment që lidh Peshkopinë me Librazhin. “Së shpejti fillon segmenti tjetër Gjoricë – Studen, për të lidhur Peshkopinë me Librazhdin. Nga ana e Librazhdit, kjo rrugë ka ecur mjaft mirë, është arritur në Stërbleva dhe po shkohet më tutje. Kjo rrugë, që fillimisht dukej mjaft e largët, faktikisht po bëhet një realitet shumë shpejt. Ky është një projekt shumë i madh, pasi kjo unazë është qindra e qindra kilometra”, theksoi kreu i ekzekutivit.