Berat, arrestohen të kërkuarit për shpërndarje droge në Zvicër
BERAT - Tre persona të kërkuar në Zvicër u arrestuan dje me urdhër të prokurorisë nga policia e Beratit. Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria mësohet se tre personat akuzohen për shitje dhe shpërndarje lëndësh narkotike në Zvicër, ku kanë qëndruar si emigrantë, derisa autoritetet filluan hetimin ndaj tyre. Roland e Krenar Bejleri, si dhe Fatjon Metollari, janë arrestuar dje nga policia në zbatim të masave të arrestit të vendosura nga Gjykata e Beratit pas kërkesës së prokurorisë së këtij qyteti. Sipas burimeve zyrtare, tre të arrestuarit ishin hetuar nga prokuroria zvicerane për disa kohë, pasi ishin gjetur prova për implikimin e tyre në shpërndarjen dhe shitjen e lëndëve narkotike. Autoritetet zvicerane kanë kryer hetimet e tyre duke arrestuar disa shqiptarë që bënin pjesë në grupin e drogës, por tre të arrestuarit e djeshëm në Berat, ishin larguar nga Zvicra. Pas disa verifikimeve të bëra përmes Interpolit, autoritetet zvicerane kanë marrë informacion se tre personat e kërkuar për shitje dhe shpërndarje droge në Zvicër, kishin mbërritur she strehoheshin në Shqipëri. Menjëherë pas kësaj, pala zvicerane ka hyrë në kontakt me Prokurorinë shqiptare. Procedimi penal i hapur në Zvicër për shqiptarët është transferuar në Shqipëri ndërsa është bërë edhe përkthimi i certifikuar i provave të grumbulluara nga autoritetet zvicerane. Pas regjistrimit në Prokurorinë e Beratit, dosja penale është hetuar më tej nga ky institucion, i cili ka plotësuar dosjen e ardhur nga Zvicra me prova të tjera penale. Për disa muaj Prokuroria e Beratit ka kryer veprime procedurale në fund të së cilave, sipas burimeve, u provua se të dyshuarit kishin kryer shpërndarje dhe shitje lëndësh narkotike në shtetin e Zvicrës. Në këtë kohë, prokuroria kërkoi caktimin e masave të sigurisë në Gjykatë, ndërsa zbatimi i arresteve i kaloi policisë së Beratit, ditën e djeshme. t.s