“Mbivlerësimi i euros, nuk do cenojë çmimin e ilaçeve”
zirina llambro
Rritja e çmimit të euros nuk do të cenojë aspak listën e re të barnave me rimbursimi e as importin e barnave. Pas ngritjes së problemit nga grosistët, të cilët kërcënuan edhe më bllokim të tregut të ilaçeve ka ndërhyrë Ministria e Shëndetësisë. Kështu, barnat e listës me rimbursimi, e cila do të hyjë në treg në datën 1 janar 2010 do të blihen me mesataren e kursit të këmbimit të valutës sipas deklaratës së Bankës së Shqipërisë në 6 mujorin e fundit. Në këtë konkluzion kanë arritur specialistët e drejtorisë së farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë. Në relacionin e përgatitur prej kësaj drejtorie thuhet se rritja e kursit të këmbimit ka vënë në vështirësi shumë të mëdha gjithë distributorët e barnave në Shqipëri. Duke qenë se ne jemi vend, ku pjesa më e madhe e barnave vjen nga jashtë problemi ka qenë madhor. Kështu në listën e kaluar çmimi i barnave llogaritej me kursin 1 euro 123 lekë kur në këtë javë rreth 135 lek/euro pra, diferenca është vërtetë e konsiderueshme. “Lista e re e barnave që do të hyjë në fuqi në 1 janar do të sjellë përmirësim të dukshëm të këtij problemi, pasi kjo listë do të llogaritet në bazë të kursit mesatar të 6-mujorit të fundit, të cilin e deklaron Banka e Shqipërisë”, ka përcaktuar drejtoria e farmaceutike. E thënë më thjesht, kursi i këmbimit të valutave të huaja mbi të cilin do të dalin çmimet e barnave për vitin 2010, si dhe për listën e barnave të rimbursueshme do të jetë shumë afër kursit mesatar të sotëm të euros dhe dollarit, pasi këto janë valutat me të cilat deklarohen çmimet e barnave
Deri tani grosistët, blerësit e mëdhenj të ilaçeve, kanë blerë ilaçe me çmime më të shtrenjta dhe i kanë shitur me çmimet e parashikuara sipas vendimit të Qeverisë. Kjo është bërë duke menduar që shteti, Ministria e Shëndetësisë, do të kishte nevojë për një plan dhe përgatitjen e një propozimi për rimbursimin e grosistëve dhe në të njëjtën kohë për “mbrojtjen” e konsumatorëve nga rritja e çmimit të ilaçeve. Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave në muajin maj të vitit 2008, është llogaritur që marzhet e fitimit për grosistët do të llogariteshin sipas blerjeve të ilaçeve me kursin e 122.66 lekë për 1 euro dhe 83.28 dollarë për 100 lekë. Por, duke nisur nga muaji dhjetor i këtij viti, çmimi i euros është rritur ndjeshëm. Çmimi i monedhës së eurozonës ishte 122 lekë gjatë dy viteve të fundit, ndërkohë që nga dhjetori i 2008-ës pësoi rritje në 123.5. Sipas rregullave, nënçmimi i lekut i bën importet më të shtrenjta. Rrjedhimisht shqiptarët duhet të paguajnë më shtrenjtë për mallrat e importit, përfshi këtu edhe për barnat. Aktualisht, Shqipëria importon më shumë se 90 për qind të barnave nga shtete të ndryshme të botës. Kryesisht barnat blihen me euro apo me dollar në varësi të shtetit ku prodhohen apo tregtohen me shumicë. “Për të realizuar në kohë dhe me shpejtësi listën e barnave të rimbursueshme drejtoria farmaceutike në MASH ka marrë masat bashkë me specialistët e ISKSH. Në muajin nëntor do të jetë mbledhja vjetore e komisionit të hartimit rishikimit dhe miratimit të listës së barnave të rimbursueshme”, bën me dije drejtoria farmaceutike. Pritet që në skemë të futen edhe alternativa të reja si formëdoza të barnave ekzistuese, barna të reja për sëmundje të tjera, që nuk janë në listën aktuale dhe alternativa të tjera të barnave që janë në listën ekzistuese.