Grabitet pllaka e Themistokliut
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Pllaka që përkujtonte ditën kur patrioti i shquar Themistokli Gërmenji ngriti flamurin që shpallte Korçën Republikë Autonome nuk është më.
Persona të paidentifikuar, (nuk dihet prej sa kohësh), e kanë grabitur atë. Megjithë ngjarjen e ndodhur, deri tani askush nga drejtuesit vendorë nuk ka reaguar, ndërsa policia thotë se “është duke hetuar”. Pllaka përkujtimore e vendosur që në kohën e monizmit dyshohet se mund të ketë rënë pre e ndonjë grumbulluesi të sendeve prej bakri, me qëllim për ta shitur me kile për të siguruar mjete jetese. Por nuk përjashtohet as dyshimi se ka persona të interesuar që kjo banesë me vlera historike të tjetërsohet e të humbasë pamjen aktuale, me qëllim që më pas të shërbejë si shesh ndërtimi. Pikërisht këta persona mund të kenë ndërmarrë hapin e parë për shuarjen e kujtesës historike të banorëve të qytetit. Në këtë pllakë përkujtimore shkruhej data e 10 dhjetor 1916, e cila përkon me ditën kur patrioti Themistokli Germenji e shpalli Korçën Republikë Autonome, duke e shpëtuar atë nga lakmitë e të huajve që kishin trupat pushtuese në këtë qytet. Themistokli Gërmenji ngriti organet që do të qeverisnin këtë krahinë dhe preu edhe një monedhë shqiptare për të shmangur çdo ndikim të të huajve në jetën ekonomike e tregtare të qytetit. Republika Autonome e Korçës nuk pati jetë të gjatë, ajo u shtyp nga trupat franceze, ndërsa patrioti Themistokli Gërmenji një vit më vonë u pushkatua në Selanik. Megjithatë zhvillimet historike të Korçës dhe krejt vendit treguan se Republika Autonome e Korçës ndikoi fuqishëm në zhvillimin e lëvizjes patriotike në vendin tonë.
Nuk është hera e parë që vlera të tilla historike dhe kulturore të Korçës bëhen pre e interesave lakmitare të personave të caktuar. Nga 28 banesa me vlera historike e kulturore që kishte Korça, sot kanë mbetur vetëm 4 apo 5 të tilla. Por edhe këto rrezikohen që të humbasin vlerat e institucione publike. Nga ballkoni i banesës ku ishte vendosur pllaka përkujtimore ishte shpallur edhe republika autonome e Korçës. Të zotët e shtëpisë kanë emigruar prej vitesh, ndërsa banesa ka pësuar amortizime serioze. Ndonëse monument kulture, institucioni i bashkisë vijon ta njohë ndërtesën thjesht si një objekt privat, duke i dhënë udhë abuzimeve në të. Vetë shtëpia e patriotit Themistokli Gërmenji nga monument kulture është kthyer në kafene, ndërsa reliket e patriotit si arma dhe pajime personale kanë mbetur në një dollap të vjetër, a thua si të ishin sende pa vlerë. Shumë prej sendeve personale të tjera të tij janë zhdukur gjatë viteve të fundit.