E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset makina e kryebashkiakut, 2 plagosen

 

LEZHE – Përplaset në një aksident në superstradën Lezhë-Shkodër makina e kreut të bashkisë së qytetit më të madh në veri. Lorenc Luka, kryebashkiak i Shkodrës, udhëtonte dje për një takim pune në Tiranë, por një makinë që vinte përballë është përplasur fuqishëm. Luka nuk ka pësuar asnjë dëm fizik, ashtu si dhe shoferi i tij, ndërsa një çift bashkëshortësh që ndodheshin në makinën tjetër kanë përfunduar me plagë të rënda. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 09:45, në afërsi të zonës së Gjadrit, në Lezhë. Mësohet se Luka ndodhej në makinën “Benz”, pronë e bashkisë. Në afërsi të Gjadrit një makinë tip “Golf 3”, me targë të Laçit, që udhëtonte në drejtim të kundërt ka humbur kontrollin, duke përfunduar në sensin tjetër të rrugës. Përplasja e mjeteve ka qenë e fuqishme, duke bërë që të dy makinat të pësonin dëme të mëdha. Në vendngjarje, brenda pak minutash kanë mbërritur forca të shumta të policisë dhe drejtuesit e saj në Lezhë dhe Shkodër. Nga dëshmitë e personave që panë skenën e aksidentit, si dhe nga ekspertiza e grupit hetimor, rezulton se makina me targë të Laçit ka dalë nga rruga duke u përplasur me makinën ku ndodhej Luka. Dyshohet se ndonjë defekt në sistemin e drejtimit ose humbje kontrolli për shkaqe shëndetësore ka sjellë dhe aksidentin. Lekë dhe Prena Gjeçi, burrë e grua, ndodhen në Spitalin Ushtarak për të marrë mjekimin për shkak të plagëve të marra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›