Fatmiri, nga zinxhirët në Psikiatrinë e Vlorës
Përfundon në psikiatrinë e Vlorës Fatmir Rashu, i riu rom, i cili tronditi opinionin publik me pamjet e tij brenda një kolibeje, i lidhur me zinxhir. Angazhimi i të gjitha strukturave, sociale e shëndetësore bënë të mundur që 26-vjeçari të shpërngulet nga fshati Levan për në godinën spitalore të Vlorës paraditen e djeshme. Pavarësisht gjendjes së rëndë ku jetonte prej vitesh, duket se për vetë Fatmirin ka qenë e dhimbshme të ambientohej në spital. Pak orë para se të transportohej për në Vlorë, një grup mjekësh nga spitali rajonal i Fierit, mes tyre vetë drejtoresha Nadaja Jahiqi, kanë kontrolluar gjendjen fizike të Fatmirit. Po dje, disa ditë pas përhapjes së këtij skandali, mjeku i familjes në Levan ka bërë të njohur faktin se ai i kishte dhënë ilaçe herë pas here familjarëve të djalit për sëmundjen mendore, por nuk ishte në dijeni për faktin se atë e mbanin të lidhur me zinxhirë. Zeqo Frashëri tregon se jo më larg se dy javë më parë familjarët e kanë dërguar djalin për vizitë dhe ai u ka rekomanduar të merrnin barnat e nevojshme. Ndërsa, një tjetër fakt ka pohuar drejtoresha e spitalit psikiatrik të Vlorës. Sipas Antonela Agajt, i riu nga Levani ishte paraqitur disa herë në këtë spital, por bëhet fjalë për një person paraplegjik, i cili ka defekt fizik e nuk përbën rrezikshmëri shoqërore, siç e përshkruajnë familjarët. Gjithsesi, ditën e sotme pritet të përgatitet një raport i saktë mbi gjendjen shëndetësore të Fatmir Rashus. Ai do t’i nënshtrohet një ekzaminimi të plotë, për të përcaktuar nivelin e sëmundjes së tij, qoftë mendore dhe asaj fizike, pasi nuk mund të ecë normalisht me këmbët e tij.
Mesditën e djeshme, të afërm dhe infermierë të spitalit të Fierit kanë bërë transportimin e Fatmir Rashus drejt psikiatrisë së Vlorës. Shumë prej personave atje e njihnin Fatmirin, pasi ai dhe herë të tjera ishte shtruar në këtë spital. Fatmiri ka qenë krejtësisht i pafuqishëm e me vështirësi ngrihej në këmbë e mezi ecte. Në ato momente, i riu ka qenë i qetë e nuk paraqiste asnjë rrezikshmëri për të pranishmit. Sapo ka hyrë në pavijon ka kërkuar vetëm një cigare e më pas ka kërkuar kapelën. Të tijën nuk e kishin marrë me vete dhe gjyshi ka hequr të vetën, duke ia vënë në kokë Fatmirit. Gjyshi i tij ka treguar se që në lindje Fatmiri ka qenë nën peshë. E ëma e ka braktisur prej kohësh, ndërsa ai vetë ishte detyruar ta lidhte pasi ishte bërë agresiv, duke rrahur njerëzit e tij e duke bërë dëme në fshat. Sipas tij, pas shtrimit disaditor në Psikiatri, spitali e ka kthyer mbrapsht, duke i thënë që të vazhdonin kurën në shtëpi, por ilaçet ia jepnin me zor, derisa u detyruan ta lidhnin. q.b/m.r