Berat, babai i 2 fëmijëve apelon për ndihmë në operimin nga kanceri në këmbë
Babai i dy fëmijëve, Vladimir Dodoveci, banor i lagjes Uznovë në qytetin e Beratit, i sëmurë prej disa vjetësh kërkon ndihëm e shtetit për kurim të sëmundjes së tij. 45- vjeçari pohon se vuan nga tumori në këmbën e majtë dhe pikërisht në kockën e ngopjes, që bën lidhjen me pjesën tjetër të këmbës. I sëmuri sqaron se ka bërë operim këmbën para 2 vitesh e gjysmë dhe mjekët në Spitalin Ushtarak në qytetin e Tiranës i kanë vendosur në pjesën e kockës së konsumuar nga tumori, një copë allci, e cila që nga koha e vendosjes ia ka vështirësuar jetën tij.
Vladimir Dodoveci tregon se para dy javësh ka bërë kontroll në spital dhe i kanë rekomanduar mjekët që të bëjë operacionin e dytë për të hequr allçinë dhe të vendosë protezën, e cila do ta ndihmojë atë që të ecë në këmbë dhe ajo që është më e rëndësishme, do ta ndihmojë që të mos ketë më dhimbje, pasi ai prej 2.5 vjetësh ndjen dhimbje të tmerrshme që i qetëson veç me ilaçe dhe në gjendje më të vështirë i drejtohet spitalit që të bëjë morfinë qetësuese. Ndërkaq, ai pohon se nuk mund të ecë dhe i vetmi pozicion që qëndron është i shtrirë përmbys në shtrat. Operacioni, sipas Dodovecit kushton 4 mijë euro ndaj në pamundësi ekonomike i bën apel shtetit për ndihmë financiare, që të kryejë sa më shpejt ndërhyrjen kirurgjikale. I shtrirë në të njëjtin pozicion më këmbën e majtë të ënjtur dhe gjysmë të lëshuar me peshën që e mbajnë disa batanije, 45- vjeçarit i mbushen sytë me lot kur mendon se në pamundësi do të vuajë deri ditën e fundit të jetës. Ndërsa gruaja e tij, Vjollca tepër e shqetësuar për gjendjen e bashkëshortit tregon se të ardhurat e familjes janë veç një asistencë prej 20 mijë lekësh të vjetra si dhe 60 mijë lekë që Vladimiri i përfiton si invalid. Ndërkohë që çdo ditë është e detyruar ti drejtohet farmacisë më të afërt për të blerë ilaçe qetësuese Tramadol, të cilat kushtojnë 5 mijë lekë të vjetra një shishe. Në gjendje shumë të vështirë ekonomike, duke treguar ilaçet dhe pamundësitë ekonomike, Vjollca shpërthen në të qara, ndërsa pohon se kanë trokitur në dyer të shtetit, por ato u janë mbyllur. Skamja dhe varfëria shoqëron çdo ditë këtë familje, ku fëmijët 16 dhe 13 vjeç janë peng i fatkeqësisë së babait të tyre. Nuk kishim lekë për libra për vajzën ndaj nuk ia vazhduam shkollën e mesme, tregon Vjollca. Ndërsa babai i të sëmurit, Qerimi thotë se ndihmën me një karrocë shtytëse për Vladimirin në periudhën kur ka qenë më mirë me shëndet, ua kanë dhënë veç murgeshat italiane që janë në qytetin e Beratit. Qerim Dodoveci, shton se ka shkuar në zyrën e kryetarit të bashkisë, Fadil Nasufi por nuk i është dhënë asnjë ndihmë ekonomike. Kemi mbetur si peshku pa ujë. Të afërmit na kanë ndihmuar në operacionin e parë të Vladimirit që kushtoi 2 milion lekë dhe nuk mund tua shtrijmë dot dorën se të gjithë kanë halle, përfundon babai i të sëmurit. Duke shpresuar tek ndihma nga organet e shtetit dhe shoqatat apo bizneset e ndryshme, Vladimiri kërkon ndihmë duke iu kujtuar se në pamundësi për kryerjen e operacionit, zgjidhja e vetme mbetet veç fundi i jetës, që nëse vazhdon me këto dhimbje nuk është i largët.