E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, banorët: Stop shpërthimeve në guroren pranë depos së armëve

BERAT - Banorët e lagjes "Guri i Bardhë" në qytezën e Urës Vajgurore kanë dhënë alarmin për shkatërrimin dhe dëmtimet në banesat e tyre, për shkak të aktivitetit privat të disa guroreve që gjenden jo më larg se 20-30 metra nga banesat e tyre, e po kaq larg depos me armë e municione. "Një gjë e tillë do shkaktonte një Gërdec të dytë, "madje dëmet do të ishin edhe më të mëdha", janë shprehur banorët për "Gazeta Shqiptare".

Sipas tyre, shpërthimet e kryera po rrënojnë shtëpitë dhe po u rrezikojnë jetën çdo ditë, ndërsa prag- katastrofa e paralajmëruar mund të vijë nga depoja e municioneve luftarake që ndodhet pranë shpërthimeve.

Për këtë shkak, banorët (kryefamiljarët) kanë firmosur dje një peticion drejtuar prefektit të Qarkut të Beratit, Ministrisë së Mjedisit dhe qeverisë. "Minierat e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit të firmës 'Salillari' sh.p.k e 'Koloseo' të Urës Vajgurore po na shkatërrojnë banesat tona.

. Gati çdo ditë shpërthejnë mina jo më pak se 20-30 metra nga shtëpitë e kësaj lagjeje, duke mos llogaritur tymin e përhershëm helmues në mjediset tona. Jeta na është bërë e padurueshme nga këto shkatërrime dhe helmime të ujit dhe të ajrit. Në qytezën tonë (Ura Vajgurore) janë rreth 450 shtëpi të banuara që kanë pësuar dëmtime dhe rreth 500 banorë me sëmundje në mushkëri nga helmimet e minierave në fjalë.

Si pasojë e gurëve, jo vetëm ka pasur dëme në banesa, por dhe të plagosur", thuhet në peticionin e kryefamiljarëve. Peticioni përcakton datën 25 shkurt si afat për ndërhyrje për zgjidhjen e problemit të ngritur, ndryshe banorët e zonës së rrezikuar paralajmërojnë nisjen e grevës së urisë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›