E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha e Topalli takojnë Volonte: Hetim përgjegjësve të 21 janarit

TIRANE- Kryeministri Berisha priti në një takim Luca Volonte, President i Grupit Popullor Kristian – Demokrat në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe anetar i Komitetit Presidencial i kësaj Asambleje.

Në këtë takim bën të ditur zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë e njohu zotin Volonte me situatën politike në vend duke u ndalur tek ngjarjet e 21 janarit. “Kryeministri ka nënvizuar rëndësinë themelore për hetim të plotë, profesional dhe të balancuar të të gjithë përgjegjësve të 21 janarit si kusht themelor për zgjidhjen dhe normalizimin e situatës në vend”- thuhet në njoftimin për shtyp.

Kryeministri Berisha mbështeti plotësisht rolin e institucioneve të pavarura në zgjidhjen e situatës por theksoi se “pavarsia e këtyre institucioneve nuk është një aspekt formal por bazohet në veprimet dhe besimin që ato institucione krijojnë në zbatimin korrekt dhe të paanshëm të ligjit”.

Nga ana e tij citohet në njoftimin e Këshillit të Ministrave, zoti Volonte shprehu “vlerësimin dhe mbështetjen për qëndrimin konstruktiv të kryeministrit Berisha dhe të mazhorancës në përballimin dhe zgjidhjen e situatës së krijuar nga përpjekjet e dhunshme të opozitës për marrjen pa zgjedhje të pushtetit”.

Eurodeputeti eshte pritur në një takim të të vecantë edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Sipas njoftimit për media të zyrës së Kuvendit Topalli u shpreh gjatë këtij takimi se “prej një muaji po i kërkojmë Drejtësisë që ata që organizuan dhunën ekstreme të 21 janarit, ata që përdorën grupe kriminale, ata që për 5 orë rrethuan e sulmuan nga të gjitha anët Kryeministrinë për karrigen e z.Rama, duhet të përgjigjen para drejtësisë”.

Nderkaq Eurodeputeti Luca Volonte theksoi rëndësinë që ka angazhimi dhe vullneti serioz që duhet të ndërmarrin forcat politike, për zgjedhjet e 8 Majit. Topalli garantoi se çdo tentativë e dhunshme për rrëzimin e rendit kushtetues, do të marrë përgjigjen e merituar bazuar në Kushtetutë.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›