Berat, ekspertizë mendore për vrasësin e vëllait
Kastriot Gorani akuzohet për vrasje me dashje por nëse rezulton i sëmurë ndryshon mënyra e vuajtjes së dënimit
BERAT- Kastriot Gorani, njeriu që ka vrarë me gjakftohtësi të plotë vëllanë e tij tre ditë më parë në Berat, mund t'i shpëtojë dënimit me burg për shkak të paaftësisë mendore. I njohur si i sëmurë mendor, i mbyllur në spital psikiatrik dhe më pas i liruar pa ndonjë shkak konkret, ai tashmë ka mundësinë që t'i shpëtojë përgjegjësisë për veprën e kryer. Gjykata ka vendosur dje lënien e tij nën masën e sigurisë arrest me burg pa afat deri në përfundim të hetimeve por ndërkohë është urdhëruar edhe kryerja e një ekspertimi mjeko-ligjor në lidhje me gjendjen e tij mendore.
Është dashur të kryhet një vrasje makabre ku vëllai ka goditur vëllanë me sëpatë e më pas i ka prerë fytin me thikë që shteti shqiptar të ndërgjegjësohet në lidhje me një të sëmurë mendor tepër të rrezikshëm në fshatin Vokopolë të Beratit. Tre ditë më parë Kastriot Gorani, i dërguar disa herë nga familja në spital psikiatrik si i sëmurë i rrezikshëm dhe i lënë i lirë, u grind pa shkak me vëllanë e tij Durimin dhe kur ky i fundit refuzoi t'i plotësonte një dëshirë nisi ta godasë me grushte. Në sy të familjes ai ndoqi vëllanë nga pas dhe kur e kapi e goditi me një sëpatë duke e plagosur rëndë. Më pas, shumë qetësisht ai hyri në shtëpi, mori thikën e bukës dhe më pas i preu fytin vëllait duke e lënë të vdekur në vend. Kur gjithçka kishte mbaruar, Kastriot Gorani hyri në banesë dhe plagosi veten e tij me të njëjtën thikë duke qëndruar më pas i shtrirë në pritje që policia ta arrestonte. Vëllai vrasës u paraqit dje në gjykatë dhe shumë qetësisht pranoi të kishte kryer vrasjen por ai nuk dha asnjë motiv për të. Me sjellje të një skizofreni ai ka dëgjuar më pas deklarimet e prokurorisë dhe të avokatit të tij mbrojtjes. Organi i akuzës ka paraqitur rrethanat e vrasjes që tronditi të gjithë opinionin shqiptar dhe më pas kërkoi nga gjykata që Kastriot Gorani të qëndronte në burg pa afat. Pas kësaj kërkese, akuza i kërkoi gjykatës edhe urdhërimin e një ekspertize mendore për të arrestuarin. Kërkesa për ekspertizë mendore është përsëritur edhe nga avokati i të arrestuarit, i cili ka paraqitur në gjykatë edhe dokumente të shumta që provonin historinë e sëmundjes. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Hoxha, ka vendosur në bazë të ligjit dërgimin e vrasësit në një ekspertizë ligjore për të parë nga afër dhe argumentuar pretendimet e tij dhe të avokatit se vrasësi është i sëmurë mendor. Gorani do të gjykohet për vrasje me dashje por nëse rezulton i sëmurë mendor, ashtu siç tregojnë edhe dokumentet e shumta, ai do të vuajë dënimin si i sëmurë mendor.