E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patosi: Pakti i PS? Kemi edhe ne propozimet tona

PD mirëpret paktin e ofruar nga Edi Rama për reformën në drejtësi
TIRANË- Partia Demokratike mirëpret Paktin Kombëtar për Drejtësinë të bërë publik një ditë më parë nga kreu i PS-së, Edi Rama. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi i konsideroi propozimet që përmban ky Pakt si një ofertë e mirëpritur që shkon në frymën e bashkëpunimit që ka nisur në komisionin e Ligjeve dhe deklaroi se, shume shpejt edhe demokratët do të bëjnë propozimet e tyre. "Reforma në drejtësi mund të konsiderohet e nisur tashmë. Po kështu, në frymën e rezolutës që ne bashkërisht miratuam në parlament para disa ditësh, besoj se kjo ofertë ka nevojë të plotësohet me propozimet tona që ne shumë shpejt do t'i bëjmë publike dhe do t'i paraqesim", deklaroi Patozi, ndërsa shtoi se, janë të mirëpritura edhe propozimet e të gjitha aktorëve të tjerë politikë të përfshirë në komisionin e ligjeve. I pyetur nga mediat lidhur me afatet e realizimit të reformës, kreu i grupit parlamentar të PD-së tha se nuk ka ndonjë afat konkret, pasi për realizimin e saj nevojitet bashkëpunim dhe jo kushte apo ultimatume. Gjithsesi, Astrit Patozi nënvizoi se, deri në afrimin e samitit të Bukureshtit, reforma do të ketë avancuar me miratimin e projektligjit për pushtetin gjyqësor dhe ndoshta edhe atij për prokurorinë e përgjithshme. "Ekziston një frymë bashkëpunimi e admirueshme, e cila nuk mund të prishet nga detaje të vogla", tha kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›