E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja: Pakti i PS jo pjese e komisionit të ligjeve

Përplaset PD e PS për mënyrën e zbatimit të paktit të ofruar nga socialistët
Beja: Pakti nuk diskutohet tek ligjet. Xhafaj: Ligjet mund të ngrenë një grup pune
TIRANË- Pavarësisht frymës së bashkëpunimit të shfaqur gjatë javëve të fundit midis pozitës dhe opozitës janë shfaqur mosmarrëveshjet e para publike në lidhje me realizimin e reformës në drejtësi. Kjo pasi Komisioni Parlamentar i Ligjeve nuk pranon të diskutoj në lidhje me Paktin Kombëtar për Drejtësinë të propozuar nga Partia Socialiste dhe paraqitur në këtë komision nga deputeti Fatmir Xhafaj dy ditë më parë. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje kreu i këtij komisioni demokrati, Fatos Beja, i cili ka theksuar se nga vet natyra sesi është hartuar një dokument i tillë ai nuk mund të jetë objekt i punës së këtij komisioni. E ndërsa dje kreu i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi ka dhënë sinjale pozitive në lidhje me këtë pakt, po dje Beja ka mbyllur çdo mundësi që paktipropozuar të bëhet pjesë e diskutimeve në komisionin e ligjeve. Sipas tij, pakti për drejtësinë i paraqitur nga socialistët mund të ketë vlera të mesazhit politikë, por jo vlera ligjore. Kështupyetur nëse pakti do te bëhej objekt i punës së komisionit të ligjeve Beja u shpreh "Jo. Përsa i përket paktit mund të them se ai është një mesazh politikë, i cili mund të paraqitej dhe në formën e një rezolute apo një pakti për tu nënshkruar nga përfaqësuesit e grupeve politike në parlament. Pra kjo është natyra e paktit. Nuk ka komision që mund të diskutoj apo firmosi pakte", - u shpreh kreu i komisionit Fatos Beja.
Xhafa
Ndërkohë që një pretendim i tillë ka hasur në kundërshtimin e socialistëve, të cilët e kanë konsideruar këtë qëndrim si jo profesionist. Nënkryetari socialistë i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafaj ka sqaruar dje për gazetën se qëllimi i veprimit të PS-së nuk ka të bëj me kërkesën për ta firmosur këtë pakt në komision. Sipas tij, Komisioni i Ligjeve duhet të jetë institucioni që në bazë të këtij projekt-pakti të organizojë debatin qoftë me propozimet e forcave të tjera politike ashtu edhe me grupet e tjera të interesit dhe në fund të përpunoj produktin e dalë nga ky diskutim. "Komisioni i Ligjeve nuk mund të firmos një pakt, por ama mund të përgatis një draft duke u bazuar në propozimet e këtij pakti. Natyrisht ne kemi paraqitur një projektdraft dhe jemi të hapur të pranojmë dhe sugjerimet e tjera të forcave të tjera politike për ta pasuruar atë dhe për ta kthyer në një dokument bazë për këtë reformë. Në këtë drejtim Komisioni i Ligjeve mund të ngrejë një grup pune i cili duke u konsultuar dhe me grupet e interesit mund të përpunojë materialin dhe të paraqisë atë në formën e draft-ligjeve", - u shpreh Xhafaj. Ndërkohë që, sipas Bejës, komisioni është vendi ku mund të diskutohen probleme të ligjit, nene të caktuara, harmonizimi me ligjet e tjera, por jo deklarata apo qëndrime politike. "Komisioni diskuton për çështje konkrete. Në çdo projektligj ne kemi diskutim në parim ku palët shprehin mendimet e tyre dhe pastaj futen në diskutime konkrete nen për nen. Ne jemi duke diskutuar një projekt-ligj konkret"- u shpreh Beja.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›