E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncesionet, jepet kaskada e Devollit dhe TEC-i i Fierit

Në TEC-in e Fierit, kontrata parashikon që të realizohet një investim prej rreth 100 milionë euro
Konsorciumi "Atermon s.a - Roder & Blackwell Consultig" është shpallur dje fitues i tenderit për dhënien me koncesion të tipit BOT për TEC-in e Fierit, në kuadër të nismës "Shqipëria 1 euro". Gara është hapur më 5 shtator 2007 dhe në të mori pjesë vetëm Konsorciumi "Atermon s.a - Roder &Blackwell Consultig", që ishte edhe fituese e bonusit prej 8 për qind. Rehabilitimi i kësaj vepre që është një domosdoshmëri, presupozon instalimin e një fuqie deri në 200 megavat, me një prodhimtari vjetore deri në 1.6 miliardë kilovat/orë të TEC-it ekzistues të Fierit me fuqi 159 mega/vat, prej të cilave 99 megavat me teknologji kineze, të vëna në punë në vitin 1966 dhe 60 megavat teknologji çeke, vënë të punë të vitin 1981. Aktualisht, të gjitha pajisjet dhe makineritë janë të amortizuara duke shkaktuar një ndotje të madhe në mjedis dhe rehabilitimi i tij është konsideruar i domosdoshëm jo vetëm për plotësimin e nevojave të vendit me energji elektrike, por edhe për diversikifimin e burimeve të energjisë. Konsorciumi që është shpallur fitues i tenderit, ka parashikuar një vlerë investimi rreth 100 milionë euro. Koha e instalimit dhe fillimit të prodhimit të energjisë elektrike është llogaritur nëntë muaj nga data e hyrjes në fuqi të kontratës. Përsa i takon çështjeve mjedisore, projekti i paraqitur nga firma garanton ndotje minimale brenda normave europiane të detyrueshme për Shqipërinë. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pas përfundimit të shqyrtimit të dokumentacionit, pranoi ofertën teknike të Konsorciumit "Atermon s.a - Roder & Blackwell Consultig" dhe do kalojë në procedurat e mëtejshme për negocimin e kontratës koncesionare dhe marrëveshjen e blerjes së energjisë. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shpallur gjithashtu kompaninë austriake "EVN" fituese të tenderit për dhënien me koncesion të formës "BOT" për shfrytëzimin e gjithë potencialit hidrik të luginës së Devollit. Tenderi është zhvilluar në 21 nëntor në Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, dhe në të kanë marrë pjesë dy kompani të huaja, "EVN AG", e cila ka fituar dhe bonusin prej 10% të pikëve dhe Konsorciumi "Landvirskjun & Kurum Holding". Komisioni vlerësoi përmbushjen e kritereve juridike, ekonomike dhe teknike të ofertave të paraqitura dhe në fund shpalli fituese ofertën e EVN-së, që i plotësonte kriteret e kërkuara. Oferta e dhënë nga kjo firmë përfshin investimin 900 milionë euro për ndërtimin e hidrocentraleve, kapacitet total të instaluar 319 MË, prodhim mesatar vjetor të energjisë 985.400 MË/h, kohë ndërtimi prej 6 vjetësh dhe respektim optimal të aspekteve ekologjike mjedisore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›