E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Rriten interesat për kredinë dhe depozitat

Të dhënat e fundvitit flasin për rritje të përqindjeve në tregun e kredisë, depozitave dhe letrave me vlerë
Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se gjatë fundit të vitit që kaloi, ka pasur një rritje të përgjithshme të interesave në treg. "Sinjalizimi për shtrëngimin e kushteve monetare në tremujorin e fundit të vitit, ka vazhduar të përcillet në tregje edhe gjatë muajit dhjetor. Të dhënat e fundvitit flasin për rritje të përqindjeve në tregun e parasë, në tregun e letrave me vlerë, në depozitat dhe në kredinë për ekonominë",- ka sqaruar BSH. Rritja e interesave të kredive ka dhënë efektet e saj në kërkesë, duke bërë që klientët e bankave të jenë më pak të tërhequr nga ky produkt, që ka pasur një periudhe lulëzim gjatë dy viteve të fundit. Në raportin e BSH-së bëhet e ditur se në muajin nëntor, ritmi vjetor i kredisë për sektorin privat është ngadalësuar në 49 për qind. Por, BSH vlerëson se ndikimi i kredisë në zhvillimet monetare dhe ato makroekonomike mbetet i qëndrueshëm.
Interesat në nivele të larta
Në mbledhjen e ditës së djeshme, BSH ka mbajtur të pandryshuar në 6.25% normën bazë të interesit për monedhën vendëse lek. Por rritja e interesave për lekun duket se ka vazhduar që të favorizojë kreditimin në valutë, që zë rreth 70% të portofolit total të dhënë nga ana e bankave të nivelit të dytë. Rënia e nivelit të kreditimit në muajin nëntor të vitit të kaluar, ka qenë e ndjeshme nëse krahasohet me ecurinë e këtij treguesi gjatë muajve të mëparshëm. Në tremujorin e tretë, kredia në lekë u rrit mesatarisht me 53 për qind, krahasuar me 63 për qind që pasqyroi në tremujorin e dytë të vitit. Ndërkohë që ritmet e rritjes së kredisë në valutë janë më të larta se ato të gjashtëmujorit të parë të vitit, duke u barazuar me zgjerimin vjetor të kredisë në lekë. Kjo ecuri pozitive i dedikohet kërkesës së lartë që ka sektori privat, kryesisht bizneset, për financim në monedhë të huaj.
Ulet presioni i çmimeve
Pas analizës së bërë për treguesit kryesorë të ekonomisë, Banka e Shqipërisë ka deklaruar se gjatë vitit 2008 pritet që të ketë një nivel të moderuar të çmimeve. "Analiza e balancës së rreziqeve, si dhe parashikimet për inflacionin në dymbëdhjetë muajt në vijim, japin sinjale për një situatë më të balancuar midis faktorëve me natyrë nxitëse dhe frenuese ndaj presioneve inflacioniste në ekonomi",- sqaron BSH në mbledhjen e fundit të realizuar nga ana e KM.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›