Ligji, bashkitë, kredi për investime
Bashkitë dhe komunat në të gjithë vendin, do të kenë mundësi që të marrin kredi për të realizuar investime. Ligji parashikon që në përgjithësi këto borxhe duhet që të merren me objekt investimet, por zv/ministri i Financave, Sherefetin Shehu ka bërë të ditur se këto fonde mund që të merren edhe për nevoja afatshkurtra likuiditeti. Megjithëse duket si një hapësirë e re që mund t'i jepet njësive vendore, sërish këto fonde nuk mund që të merren në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e vendorëve pa marrë një vendim të Ministrisë së Financave. Ky ligj i miratuar dje nga ana e Komisionit të Ekonomisë i jep mundësi komunave dhe bashkive që të marrin kredi një shumë sa 20 për qind e të ardhurave të tyre vjetore. Deputetët e opozitës kanë qenë dakord në parim me ligjin, ndërsa kanë kërkuar nga e qeverisë që të kalojë më shumë taksa nën administrimin e pushtetit vendor.