E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, mjekët denoncojnë kushtet mizerabël në spitale

Ankesat e ngritura nga mjekët e spitalit rajonal të Beratit gjatë analizës vjetore të kësaj qendre, duket se janë mëse të vërteta. Në ambientet e maternitetit, punonjës të personelit thanë se problem është niveli i lartë i lagështirës, ambientet shumë të vogla, ku në dispozicion të nënave që lindin janë veç tre dhoma. Duke mos pasur hapësira nuk ka ndarje nëpër dhoma të veçanta të nënave që shtrohen para lindjes, të atyre që lindin me operacion apo të shumë të tjerave që kryejnë lindje normale. Kjo ka bërë që të ketë mbipopullim të ambienteve. Mjeket kanë thënë gjithashtu se ka shumë mangësi në prapavijë si në kuzhinë dhe në lakanderi, ku çarçafët lahen me ujë të ftohtë. Ndërsa në lidhje me këto probleme drejtori i prapavijës në spitalin rajonal, Miltiadh Melengu ka pohuar se në lavanteri ka probleme për shkak të pajisjeve shumë të vjetra, ndërsa në kuzhinë niveli është shumë i mirë. Ndërkaq, Edlira, njëra nga nënat e shtruara në maternitetin e spitalit tregon për gjendjen shumë të vështirë në dhomën ku ajo qëndron prej disa ditësh. Sipas saj, "ka shumë njerëz që vijnë të vizitojnë të afërmit dhe dhomat mbushen kaq shumë sa ne na merret fryma". Përveç ajrit të ndotur problem është më shumë për foshnjat në një ambient ku ka shumë lagështirë. Sipas Edlirës, nënës 30- vjeçare, banjat gjithashtu janë në gjendje mizerabël saqë shumë herë ajo shkon tek të afërm të saj pranë spitalit për të kryer nevojat personale nga frika e sëmundjeve infektive.
Ankesa ka pasur dhe reparti i pathologjisë, problem i ngritur nga shefi i shërbimit të sëmundjeve të brendshme, Karaman Sulejmani. Sipas tij, reparti ka mungesë të aparaturave kryesore ku pacientët adresohen në qytete të tjera që të bëjnë kontrolle dhe analiza. Mangësi këtu ka edhe në prapavijë dhe këto probleme janë ngritur nga që  spitali rajonal i Beratit është lënë shumë pas dore nga Ministria e Shëndetësisë. Por edhe pse problemet janë paraqitur nga reparte të ndryshme, bluzat e bardha kanë pohuar se punojnë me përkushtim për të shmangur çdo problem që lidhet me shërbimin e higjienës së foshnjave dhe të nënave.

Email This Klikime: 2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›