"Mëngjesi i Lutjeve me shtetarët shqiptarë, në nderim të Skënderbeut
Në kujtim të 565-vjetorit të Kuvendit të Lezhës, Forumi për Demokraci dhe Etikë do të organizojë më 2 mars takimin "Mëngjesi i Lutjeve me shtetarët shqiptarë". Të ftuar në këtë aktivitet krerë të lartë shtetërorë nga Shqipëria, Kosova si dhe kryetarë të partive shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe trojet e tjera. Sipas organizatorëve ky takim shërben dhe si nderim për figurën e heroit tonë kombëtar.
Kuvendi i fisnikëve shqiptarë u mbajt më 2 mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Në të morën pjesë udhëheqës të kryengritjeve të mëparshme antiosmane, si dhe pjesëtarë të tjerë të aristokracisë shqiptare. Midis tyre ishin: Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia (bashkë me dy djemtë, Kominin e Muzakën dhe të nipin Tanushin), Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Pjetër Spani (bashkë me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon), Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu (dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje), Zahari Gropa, Lekë Dushmani bashkë me Pjetrin e fisnikë të tjerë fqinjë me ta, Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi bashkë me bijtë e tij, Gjergjin e Gjonin) etj. Skënderbeu mbajti fjalën e hapjes në Kuvend dhe u ndal në domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik të shqiptarëve. Pjesëmarrësit diskutuan format e bashkëpunimit dhe rrugët për realizimin e bashkimit politik të tyre, në themel të të cilit vunë institucionin më të rëndësishëm kombëtar, atë të besës. Ata institucionalizuan Kuvendin si forumin politik më të lartë vendimmarrës të fisnikëve shqiptarë. Kuvendi vendosi që bashkimi i shqiptarëve të bëhej në formën e një besëlidhjeje politike ndërmjet drejtuesve të zotërimeve të lira dhe fisnikëve të tjerë të vendit, që u njoh me emrin Besëlidhja Shqiptare e Lezhës. Ajo ishte një aleancë politike e ushtarake. Si kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu, kurse si institucioni më i lartë vendimmarrës u bë Kuvendi i anëtarëve të Besëlidhjes, i cili do të mblidhej herë pas here për çështje të rëndësishme. Nëpërmjet Kuvendit realizohej dhe shprehej bashkimi i shqiptarëve.
Email This Klikime: 6
Email This Klikime: 6