E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, marrëveshje bashkëpunimi me “Frontex”

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi nënshkroi sot marrëveshjen për Vendosjen e Bashkëpunimit Operacional me “FRONTEX” e cila është Agjensia për Menaxhimin e Bashkëpunimit të Kufijve të Jashtëm të shteteve të BE. 

TIRANE- Në ambjentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u nënshkrua sot nga Drejtori i Përgjithshëm, Ahmet Prençi një marrëveshje për Vendosjen e Bashkëpunimit Operacional me “FRONTEX”, përfaqësuar nga drejtori ekzekutiv, Ilka Laitinen. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje ka si objektiv të godasë migracionin e paligjshëm dhe krimin ndërkufitar që lidhet me të, duke rritur kontrollin dhe forcuar sigurimin e kufijve midis Shteteve anëtare të BE-së dhe Shqipërisë.

Sipas drejtorit, Prenci, synimi i kësaj Marrëveshjeje është Përmirësimi i bashkëpunimit operacional midis shteteve anëtare në fushën e menaxhimit të kufijve të jashtëm. Shkëmbimit të Informacionit mes “FRONTEX” dhe Policisë së Shtetit, bashkëpunimit operacional mes Shteteve të BE-së dhe Shqipërisë dhe Asistencës së vazhdueshme të Shteteve Anëtare të BE-së në trajnimin e personelit.
Drejtori i “Frontex”, Laitinen, tha se policia shqiptare dhe ajo e kufirit kanë nivel të lartë profesionalizmi.

“FRONTEX” është Agjensia Europiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit të Kufijve të Jashtëm shteteve anëtare të Bashkimit Europian.
(e.n/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›