E Diel, 1 Nëntor 2026

Financimi dhe subvencioni i fermerëve, demagogji dhe tallje nga qeveria

Thirrja e Zyrës së Bujqësisë: Mbillni, që të përfitoni fonde në formën e rimbursimit
Ashtu si në çdo fillim viti, zyra rajonale e bujqësisë dhe ushqimit ka shpërndarë fletëpalosjet në çdo komunë të Kavajës për t'u bërë thirrje fermerëve që të mbjellin vreshta, ullishta, dhe pemëtari për të përfituar fonde në formën e rimbursimit nga Ministria e Bujqësisë. Ashtu si në çdo komunë, edhe në komunën e Golemit mjaft fermerë kanë bërë aplikime për këtë fushatë të "qeverisë demokratike" (siç thuhet tekstualisht në njoftimin pranë komunës), por duket se edhe këtë vit shpresat janë të pakta. Përgjegjësi i zyrës së tokës në komunën e Golemit, Tahir Kanapari shprehet se "zyrtarisht ne nuk kemi asnjë komunikim me qeverinë për këtë problem, por nga sa kemi parë në udhëzimin që është miratuar nga Këshilli i Ministrave, më datë 7.1.2009 nuk ka asgjë premtuese për fermerët. Në këtë njoftim thuhet se përfitojnë subvencion fermerët individualë që mbjellin minimumi 5 dynymë me ullinj dhe ata që mbjellin 4 dynymë vresht, ndërsa ata që operojnë në grup fermerësh ose individësh duhet të kenë minimumi një sipërfaqe që i kalon 10 dynymët. Po në vazhdën e këtij njoftimi iu bëhet thirrje edhe fermerëve që të mbarështojnë 10-30 lopë ose 50-100 krerë bagëti të imëta për të përfituar nga skema e subvencioneve. Në lidhje me ujitjen nuk ka asnjë financim, por bëhet e ditur se financohet 50 për qind e vlerës së projektit për ujitjen me pika të ullishtave, vreshtave dhe pemëtoreve.
Interesimi i fermerëve
Fermerë të interesuar për këto projekte janë shfaqur ditët e fundit nga fshatrat kryesisht kodrinore të komunës si, Tilaj, Seferaj, Zikxhafaj, Golemas dhe Karpen. Interes ka pasur edhe nga fermerët e kësaj komune për mbjelljen e ullinjve, por komuna e Golemit nuk është përfshirë në skemën e qeverisë për mbjelljen e 20 milion rrënjë ullinjve në shkallë vendi. Për këtë skemë mësohet se janë përshirë komunat e Luzit të Vogël, Kryevidhit, Gosës dhe Helmësit. Ajo që duket si e pakuptimtë në këtë skemë të zyrës së bujqësisë është rimbursimi për fermerët që aplikojnë vaditjen me anë të puseve. Në këtë pikë është bërë e ditur se fermerët do të rimbursohen me një shumë prej 100 mijë lekësh për një pus që hapet për vaditje, por me kusht që pusi të hapet brenda muajit prill maksimumi. Kushti në fjalë duke fare pakuptim, sepse hapja e puseve në stinën e dimrit është pothuajse e pamundur, ndërkohë që situata bëhet më e vështirë po të kemi parasysh reshjet që nuk kanë të mbaruar.  Një tjetër pikë që është kontestuar dhe cilësuar si jo e drejtë është edhe përjashtimi i subvencionit për vaditjen në vreshtari. Në zonën e Kavajës mjaft fermerë prej vitesh merren me vreshtari, por asnjëherë nuk e kanë parë ndihmën e shtetit për sipërmarrjet e guximshme të tyre. Nuk dihet se cila do të jetë përgjigjja për fermerët e Kavajës për këtë vit, pasi vitin e kaluar shumë pak prej tyre janë shprehur të kënaqur me politikat e Ministrisë së Bujqësisë për financimin e fermerëve. Një tjetër problem që nuk krijon shumë optimizëm për tokat bujqësore në komunën e Golemit, është fakti se toka shtetërore në këtë komunë është e papërshtatshme dhe pavlerë për sipërmarrje të tilla. Megjithëse shumë fermerë në mënyrë individuale kanë tentuar të investojnë në sektorë të ndryshëm të bujqësisë, rezultatet e tyre kanë qenë të pakta dhe pa rezultatet e pritura. Problemi dhe ngërçi disavjeçar që shqetëson fermerët e komunave të Kavajës është ai i vaditjes, vaditje e cila shpresohet të arrihet nga kanali Peqin-Kavajë. Nga masat që janë marrë dhe premtimet e zyrtarëve të Bujqësisë, duket se edhe këtë vit tokat do të thahen nga vapa, sepse me 5 milion lekë të vjetra që ka akorduar ministria për këtë kanal, nuk riparohet asgjë. Edhe një herë duket se fermerëve do t'iu shkojë dëm mundi i derdhur për plugimin e tokave, mbjelljen e tyre dhe përgatitjen e kulturave deri në sezonin e vaditjes në stinën e verës.

Email This Klikime: 2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›