E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat e administratës shqiptare për projektin e jugut kanë qenë të ligjshme

Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve (MPPTT), Sokol Olldashi, i cilësoi sot në Kuvend si "abslolutisht të ligjshme" procedurat e ndjekura nga administrata shqiptare në prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare në jug të vendit. Kuvendi debatoi në seancën e sotme plenare rreth raportit të Bankës Botërore, të publikuar një ditë më parë, për projektin e saj në bregdetin shqiptar të Jugut. Ministri Olldashi, duke iu referuar në mënyrë kronologjike veprimeve të kryera nga administrata shqiptare që nga viti 2004 për prishjet në bregdet, tha se ato kanë qënë plotësisht të ligjshme. "Prishja e ndërtimeve në këtë zonë nga viti 2004, kur vendi drejtohej nga socialistët, e deri më sot, është bërë absolutisht në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje totale me projektet që ne kemi pasur me BB", u shpreh ministri i PPTT-së.   "Që nga viti 2004 saktësohet nga BB se qeveria duhet të fillojë me heqjen e ndërtimeve të paligjshme dhe atëhere keni qënë ju (socialistët) në pushtet. Në vitin 2004 e 2005, kur PS vazhdonte të ishte në pushtet, BB parashikoi blerjen e pajisjeve për Policinë Ndërtimore, pikërisht në funksion të detyrës për prishjen e ndërtimeve të paligjshme. Ndërkohë, që në dokumente të viteve 2006-2007 u kërkua fotografimi ajror i zonës me qëllim verifikimin e ndërtimeve të paligjshme", tha ministri Olldashi në informimin e tij për deputetët. Ai theksoi se "auditi i pavarur, i kontraktuar nga BB, i gjeti plotësisht të ligjshme të gjitha procedurat dhe veprimet e Policisë Ndërtimore. Që nga viti 2004-2007 vetëm në zonën e Bregut janë prishur rreth 300 ndërtime të paligjshme, të përfshira në projektin e Jugut". Gjatë seancës së sotme plenare nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, tha se "çështja e projektit në Jug sapo është hapur dhe nuk mund të konsiderohet e mbyllur, sikurse pretendon qeveria". 

Reagim

Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve (MPPTT), Sokol Olldashi, deklaroi sot në Kuvend se "opozita po stimulon politikisht shkeljen e ligjit". Ministri Olldashi reagoi sot në parlament ndaj qëndrimit të deputetëve të majtë lidhur me raportin e publikuar një ditë më parë nga Banka Botërore për projektin e Bregdetit të Jugut. Ai i kërkoi opozitës që pas publikimit të këtij raporti, të kërkonte ndjesë për gjithë spekullimin e qëllimshëm ndaj anëtarëve të qeverisë. "Ju akuzuat qeverinë për korrupsion në Jalë. Por, ashtu si pritej, raporti i BB-së thotë se 'askush nga zyrtarët e qeverisë apo anëtarët e njësisë së implementimit të projektit nuk është hetuar dhe nuk po hetohet për korrupsion. Dhe pas kësaj ju duhet të kërkoni ndjesë", u shpreh Olldashi duke iu drejtuar deputetëve socialistë.

Ai tha se "ka pasur një debat për Jalën dhe një mal me spekullime që lidhen me emrin e drejtorit të këtij projekti, vetëm për faktin se ai është dhëndri i Sali Berishës. Në fakt, BB ua rrëzoi argumentat dhe duhej të ishte në dinjitetin tuaj (opozitës), që sot të kërkonit ndjesë dhe nisur nga ky fakt të merrnit përsipër një përgjegjësi tjetër". Ministri i PPTT-së e cilësoi si "shumë të padenjë, sidomos për një anëtar të Kuvendit të Shqipërisë, që të hedhë baltë mbi shtetin e tij, pa asnjë lloj kujdesi". "Si mundet që një opozitë, në mënyrë kolegjiale, të ngrihet e të stimulojë shkeljen e ligjit në emër të luftës në parlament. Ju duhet të kërkoni falje për mënyrën se si e trajtuat projektin e Jalës", theksoi ministri Olldashi. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›