E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, nis gjyqi ndaj 2 ish ministrave Barka dhe Alushaj për shpërdorim detyre

Hetimet në qendrën e fëmijëve të ngujuar, fondet drejt një shoqate të palicencuar 
Gjykata e Beratit ka filluar procesin e bujshëm të gjykimit të dy ish ministrave Alushaj dhe Barka për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Dy ish ministrat dhe grupi që ka drejtuar për më shumë se katër vjet shoqatën e ngujimit të fëmijëve me qendër në qytetin e Poliçanit do të gjykohen për abuzime me fondet e shtëpisë së fëmijëve të ngujuar në këtë qytet. Paraditen  e djeshme është paraqitur para togave të zeza vetëm ish ministri i Punëve dhe Çështjeve Sociale Kosta Barka, i shoqëruar nga avokati i tij. Ndërsa ish ministri Alushaj dhe 4 të akuzuarit e tjerë, nuk janë paraqitur për shkaqe të ndryshme të justifikuara para togave të zeza. Në këto kushte treshja e togave të zeza e kryesuar nga gjyqtari Agron Valva është detyruar të shtyjë seancën dhe të paralajmërojë me masa shtrënguese dhe ekstreme që të akuzuarit të mos luajnë me ligjet e shtetit dhe të gjykatës por të paraqiten në çdo moment që e kërkon kjo e fundit. Po në seancën e djeshme dhe të parën prokurori i çështjes Arenc Çela ka paraqitur pesë dosje voluminoze me nga 500 fletë secila brenda të cilave është hetimi një vjeçar ndaj të akuzuarve për vjedhje dhe shpërdorime të fondeve në sasira të mëdha ndaj fëmijëve të ngujuar, duke shpërdoruar në këtë rast jo vetëm detyrën shtetërore por dhe besimin e prindërve të fëmijëve në ngujim të kësaj qendre. Prokurori i çështjes, Çela në këtë fillim të seancës së parë ka nisur argumentimin në detaj të fajësisë për ish ministrin Kosta Barka dhe 4 personave të tjerë. Prokurori Çela ka pohuar se në bazë të akuzave përkatëse 5 të akuzuarit rrezikojnë dënimin me burg dhe me gjobë. Gjithsesi është procesi gjyqësor ai që do të përcaktojë saktë fajësinë e dy ish ministrave dhe të personave të tjerë të akuzuar me të njëjtat akuza.
Hetimet
Ngjarja për të cilën janë marrë nën hetim dy ish ministrat dhe drejtoresha e shtëpisë të fëmijëve të ngujuar si dhe disa prej punonjësve të personelit përkatës e ka zanafillën gati tre vjet më parë. Shkas është bërë ankesa e drejtueses së Shoqatës së fëmijëve të ngujuar Liljana Luan, ku sipas saj, drejtuesit e Bashkisë Poliçan po bëheshin pengesë për lëvrimin e fondeve të akorduara nga Ministria e Punës dhe Çështjes Sociale për ushqim dhe mbarëvajtjen e kësaj qendre ku strehoheshin 22 fëmije të familjeve të ngujuara nga zonat e veriut . Pikërisht kjo ishte shtysa që prokuroria e Beratit nisi hetimet duke i shtrirë në tre drejtime, atë të Bashkisë Poliçan, duke hetuar të gjithë dokumentacionin dhe fondet akorduar si nga ministria apo donatorë të ndryshëm nga ku u zbulua se kishte shkelje dhe abuzim me shumat e të mëdha të të hollave që jepeshin në drejtim të qendrës. Sipas kryeprokurorit Xhemal Saliasi, nga hetimet u zbulua se shoqata nuk ishte e licencuar dhe ndërkohë nga ana e ish ministrit një kërkesë e tillë e sanksionuar në ligj ishte injoruar duke anashkaluar komisionin e licencimit pas paraqitjes së kërkesave për licencim nga ana e shoqatave. Pikërisht që këtu nisin shkeljet e ligjit duke akorduar më pas fonde në drejtim të shoqatës e cila kryente veprimtarin e saj duke qenë e palicencuar dhe e panjohur me ligj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›